Futboll

Rashani, i gatshëm t’i tregojë vlerat e tij në Spanjë

Elbasan Rashani

Sulmuesi i Kosovës, Elbasan Rashani, ka thënë se stili i lojës së skuadrës së drejtuar nga Eder Sarabia ka qenë një nga arsyet pse ai ka pranuar ofertën nga klubi Elches.

Ai ka debutuar me fanellën e Elches. Por Rashani të mërkurën u prezantua nga skuadra e Kategorisë së Dytë të Spanjës. Rashani gjatë konferencës tha se transferimi i tij u finalizua në ditën e fundit të afatit kalimtar, por ka shtuar se negociatat me Elchen kishin nisur kohë më parë. Rashani ka thënë se Elche ka “lojtarë shumë të mirë dhe me cilësi”.

Sulmuesi i krahut ka theksuar se mund të përshtatet në pozicione dhe stile të ndryshme të lojës.

“Jam i gatshëm ta ndihmoj ekipin nga fillimi ose nga bankina”. Ai ka vlerësuar futbollin spanjoll.

“Në Spanjë ka lojtarë më shumë me cilësi teknike. Këtu mund të kënaqesh më shumë me topin”, ka thënë Rashani.

Rashani ka luajtur edhe për skuadra norvegjeze, daneze dhe turke, ndërsa për Kosovën, nga viti 2016, ka shënuar katër gola në 25 ndeshje.