Futboll

Ramadani: Kam pasur periudhë të vështirë

Ylber Ramdani

Mesfushori Ylber Ramadani u kthye në formacionin startues të Lecces të shtunën mbrëma. 
Në tri ndeshjet e kaluara, reprezentuesi i Shqipërisë, Ramadani, u la në bankë rezervë te skuadra e Lecces. Ai në fakt ka pasur vështirësi gjatë gjithë edicionit. 

Ramadani luajti 84 minuta në disfatën që e pësoi Lecce nga Roma me rezultatin 1:0. 
28-vjeçari deklaroi pas ndeshjes se ka kaluar një periudhë të vështirë. 

“Kjo periudhë ka qenë pak e vështirë për mua, kam punuar në heshtje. Kam pasur një problem me shpinën, tani jam më mirë dhe mendoj vetëm të marr rezultate me Leccen”, ka thënë Ramadani, shkruan të dielën “Piantelecce”. 

Skuadra e drejtuar nga trajneri, Marco Giampaolo, Lecce, pas 30 ndeshjeve të zhvilluara ka 25 pikë në pozitën e 16-të. Është duke luftuar për mbetje në elitë. 

Ramadani ka treguar se çka i mungon Lecces, që nuk po ka rezultate pozitive. 

“Duhet të jemi më agresivë para portës. Duhet të luajmë më shumë në sulm për të shënuar gola. Na mungon kjo. Kanë mbetur edhe tetë ndeshje. Pavarësisht se kush do të dalë në fushë, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar. Duhet shpirti i duhur. Edhe vitin e kaluar ishim në vështirësi por qëndruam të bashkuar”, shtoi Ramadani.