Granit Xhaka debutoi te Zvicra kur selektor ishte ikona Ottmar Hitzfeld. Trajneri legjendar ende mban mend fjalët e Xhakës, atëbotë 19-vjeçar, para ndeshjes ndaj Anglisë në “Wembley”
Granit Xhaka tani i ka 124 ndeshje për Zvicrën. Kur bëri hapat e parë me fanellën kuqebardhë të Zvicrës, Ottmar Hitzfeld ishte aty pranë. Xhaka bëri debutimin te Zvicra kur selektor ishte Hitzfeld, më 4 qershor 2011. Kundërshtar ishte gjiganti i futbollit, ekipi përfaqësues i Anglisë. Ndeshja u zhvillua në “Wembleyn” ikonik.
“A je gati të luash këtu?”, ishte pyetja e Hitzfeldit atëbotë për 19-vjeçarin Xhaka.
Përgjigjja e Xhakës ishte: “Po, pse jo?”.
Këtë e ka treguar vetë Hitzfeldi për “bluewin.ch”. Trajneri legjendar qeshet derisa tregon.
“Ai ma bëri pyetjen dhe ky është Granit Xhaka”.
Xhaka gjithnjë ishte tip i liderit. Gjithnjë ka shfaqur mentalitet të njëjtë. Ishte dirigjent, drejtues.
“Kjo më impresiononte”, thotë Hitsfeld. “Ai ishte gjithnjë impulsiv. Dhe sërish kishte kokën e ftohtë në fushë”.
Cilat janë kujtimet e Hitzfeldit nga stërvitja e parë me Xhakën?
“Kam vërejtur se ka shumë vetëbesim. Ishte plotësisht i bindur për aftësitë e tij dhe për rrugën të cilën donte ta bënte”.
Rruga e dërgoi nga Baseli te Borussia Moenchengladbachu, Arsenali e te Bayer Leverkuseni. Në stacionin aktual, lideri i mesfushës së Zvicrës fitoi titullin e kampionit të Gjermanisë dhe Kupën e Gjermanisë.
“Me Xhakën erdhi fati dhe ajo që i mungonte skuadrës”, thotë Hitzfeld për suksesin e Leverkusenit.
Pos në nivel klubesh, Xhaka ishte dhe është lider i Zvicrës. Është kapiten dhe lojtari me më së shumti paraqitje te Zvicra.
Dhe e gjitha nisi me një: Po, pse jo?