Futboll

Punë e vështirë për skuadrat e Manchesterit

Manchester City

Foto: Associated Press

Njëra prej ndeshjeve më interesante që zhvillohet këtë fundjavë në Premier League është ajo ndërmjet Tottenham Hotspurit dhe Manchester Unitedit.

Tottenhami të dielën nga ora 17:30 e pret Unitedin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të elitës së futbollit anglez.

Tottenhami është eliminuar nga FA Cup dhe EFL Cup, ndërsa nuk i ka punët mirë as në kampionat. Mban vetëm vendin e 14-të me 27 pikë.

Më mirë nuk qëndron as Manchester Unitedi, që renditet në vendin e 13-të me 29 pikë.

Pra derbi i skuadrave të mëdha i takon vetëm mesit të tabelës.

Të shtunën ndeshja e parë është ajo mes Leicester Cityt dhe Arsenalit. Kjo ndeshje fillon në ora 13:30, ndërsa pikët janë shumë të lakmuara për të dy skuadrat. Arsenali është i dyti me 50 pikë, shtatë më pak se lideri, Liverpooli. Leicester City është në vendin e 18-të, që në fund dërgon në kategorinë e dytë. I ka 17 pikë.

Kampioni në fuqi, Manchester City, po ashtu luan ndeshje të vështirë. E pret Newcastle Unitedin, të shtunën nga ora 16:00.

City i Pep Guardiolas është në vendin e pestë me 41 pikë, sa i ka edhe Newcastle në vendin e gjashtë.

Skuadra e Manchester Cityt ka mbetur jashtë garës për titull në Angli, ndërsa është pranë eliminimit në Champions.

Liverpooli luan të dielën nga ora 15:00 ndaj Wolverhamptonit.

Wolverhamptoni ka 19 pikë në vendin e 17-të. Po lufton për mbetje në elitë.