Suspendimi për shkak të kartonit të kuq kundër Las Palmasit, do t’ia pamundësojë Vedat Muriqit të paraqitet për Mallorcan kundër Valencias, të premten në La Liga. Mungesa e Muriqit është shumë e rëndësishme për Valencian. Të paktën kështu thotë trajneri i Valencias, Ruben Baraja.
“Muriqi ka një specifikë të veçantë ndaj nesh. Ai gjithmonë shënon gol ose i afrohet shumë golit. Me mungesën e tij do të kemi shumë opsione. Ne do të përpiqemi të përfitojmë nga mungesa e tij, megjithëse Mallorca ka lojtarë të mrekullueshëm dhe kushdo që paraqitet në fushë, do të paraqitet po ashtu mirë”, ka thënë Baraja, shkruan të enjten gazeta e njohur spanjolle “AS”.
Megjithatë, kosovari ka shënuar vetëm dy gola ndaj Valencias në pesë ndeshje të luajtura kundër tyre. Natyrisht që të dy golat ishin shumë të rëndësishëm, pasi nënkuptonin fitore për ekipin e tyre. Dhe të dy golat i shënoi në edicionin 2022/2023.
Në xhiron e parë, në Mestalla, shënoi golin e barazimit nga penalltia, kurse Cavani barazoi shifrat në minutën e 66-të. Por Mallorca pati shënuar edhe një gol tjetër për fitoren 2:1.
Më e rëndësishmja ishte ndeshja e dytë, që i takonte xhiros së 36-të, kur Valencia rrezikoi rënien nga elita. Një gol i Muriqit në minutën e 64-t ishte i vetmi i ndeshjes.
Sulmuesi kryesor i Kosovës me fanellën e Mallorcas në edicionin aktual në La Liga ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me një asistim në 11 paraqitje.
30-vjeçari iu bashkua Mallorcas në janar të vitit 2022. Ishte huazuar deri në fund të edicionit 2021/2022. Por më pas Lazio e shiti në verën e vitit 2022. Ai me Mallorcan ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.
Është golashënuesi më i mirë te Kosova me 28 gola në 56 paraqitje.