Futboll

Pse Dortmundi nuk e shfaq formën e Championsit në Bundesligë?

Dortmund

Eliminimi i Borussia Dortmundit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pavarësisht fitores impresive 3:1 ndaj Barcelonës favorite, ka konfirmuar se skuadra paraqitet ndryshe në Evropë e ndryshe në Bundesligë këtë edicion.

Dortmundi e kishte humbur 4:0 ndeshjen e parë në Spanjë, por realizoi për 2:0 të martën mbrëma në shtëpi, për të ngjallur shpresë në mesin e tifozëve të zjarrtë. Rikthimi i jashtëzakonshëm dukej i mundur.

Treshja e sulmit e Barcelonës, e përbërë nga Lamine Yamal, Robert Leëandowski dhe Raphinha, kishte hapësirë fare të vogël dhe u shfaq shumë pak. Ndërkohë skuadra e trajnerit Niko Kovaç ka sulmuar Barcelonën nga fillimi i ndeshjes.

Me ndeshje me presion të lartë, Dortmundi, që vjet ishte finalist në Champions, e bëri të qartë se nuk do të dorëzohet pa luftuar. Qartë se te Barcelona janë frikësuar, ndërsa e pësuan humbjen e parë këtë vit. Në fund Dortmundi fitoi 3:1, që nuk ishte rezultat i mjaftueshëm për të avancuar në gjysmëfinale.

Në Bundesligë, Dortmundi nuk po i afrohet formës që po e shfaq në Evropë, përkatësisht në Ligën e Kampionëve. Në xhiron e kaluar të kampionatit gjerman skuadra e verdhë barazoi 2:2 me Bayernin, por është vetëm e teta me 42 pikë. Është gjashtë pikë larg vendit të katërt, që është i fundit që dërgon në Champions në edicionin e ardhshëm. Deri në fund kanë mbetur edhe pesë xhiro.

“Pyetja është se pse nuk mund të luajmë kështu edhe në Bundesligë”, ka thënë mbrojtësi i Dortmundit, Niklas Suele. “Shpresojmë që të shfaqim për tifozët tanë ndeshje të ngjashme të dielën ndaj Borussia Monchengladbachut”.

Rivali direkt, Gladbachu, është i shtati me 44 pikë. Çdo dështim ndaj kësaj skuadre do të mund të kishte çmim të lartë.

Me vetëm dy fitore në pesë ndeshjet e fundit, Dortmundi ka lëshuar pikë të rëndësishme në javët e kaluara dhe Kovaç e di se gabime të tjera nuk lejohen. Skenari më i keq për klubin, në aspektin sportiv dhe financiar, do të ishte dështimi për t’u kualifikuar në garat evropiane.

“Kishim vërtet momente të mira me topin derisa ishim në tranzicion. Do të flasim për këtë me djemtë, në mënyrë që të mund ta bëjnë edhe ndaj Gladbachut”, ka thënë trajneri Kovaç.

Serhou Guirassy i shënoi tre golat e fitores ndaj Barçës. Ai tani është golashënuesi më i mirë i Championsit këtë edicion, me 13 gola.

“Ishte shumë më ndryshe se në ndeshjen e parë. Ishim shumë më të guximshëm, me dukshëm më tepër kurajë. Natyrisht tifozëria është faktor i rëndësishëm në këto ndeshje dhe kjo më bën të lumtur. Të luajmë një ndeshje të tillë ndaj Barcelonës është nder”, ka theksuar Kovaç.