Me plot tetë akuza është përballur Federata e Futbollit e Rumanisë për ndeshjen e 15 nëntorit ndaj Kosovës, që u ndërpre në minutat shtesë, pasi lojtarët e Kosovës braktisën fushën dhe refuzuan të kthehen edhe kur këtë ua kërkoi arbitri. Lojtarët e Kosovës vendosën ta lëshojnë fushën kur dëgjuan thirrjet “Serbia, Serbia” nga tifozët rumunë. Këtë herë nuk kishte ndonjë baner kundër Kosovës si në ndeshjen e vitit të kaluar. Por lojtarët vendosën ta ndërprejnë ndeshjen dhe vendimi i tyre u përkrah nga trajneri dhe nga Federata, e ndërkohë ata morën edhe përkrahje të madhe publike në Kosovë.
Por thirrjet “Serbia, Serbia” nuk ishin shkelja më e rëndë e tifozëve rumunë në ndeshjen në Bukuresht. Këtë e bëri të qartë vendimi i Organit të Apelit të UEFA-s, i publikuar të mërkurën pasdite.
Dënimi më i rëndë ndaj Federatës rumune është për thirrje antihungareze. Historikisht ka pasur tensione mes Rumanisë e Hungarisë, të lidhura kryesisht me Transilvaninë. Ky regjion i rëndësishëm i Rumanisë në të kaluarën ishte pjesë e Mbretërisë së Hungarisë. Dhe hungarezët vazhdojnë të kenë pretendime.
Ndonëse nuk është paraqitur thuajse fare në media, në ndeshjen Rumani – Kosovë kishte thirrje antihungareze.
“Trupi i Apelit ka vendosur ta gjobisë Federatën e Futbollit të Rumanisë me 50 mijë euro dhe të urdhërojë mbylljen e stadiumit të Federatës rumune në ndeshjen e ardhshme në të cilën kjo federatë do të jetë vendëse, për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të mbështetësve të saj (në lidhje me thirrjet ksenofobike antihungareze)”, shkruan në pikën e parë të vendimit të Apelit të UEFA-s.
Është ky dënimi më i rëndë prej shumë sa i janë dhënë Rumanisë. Dhe në Federatën rumune janë të pakënaqur sidomos për faktin që ndeshjen e ardhshme do ta luajnë pa përkrahjen e shikuesve.
Për “transmetim të mesazheve provokuese politike të papërshtatshme për një ngjarje sportive”, Federata e Futbollit e Rumanisë është gjobitur me 30 mijë euro. Ndonëse UEFA nuk e ka cekur, ky dënim mund të jetë për thirrjet “Serbia, Serbia”. UEFA në vendim ka përmendur vetëm thirrjet antihungareze, e jo ato “Serbia, Serbia”.
Për hedhje të gjësendeve, rumunët janë dënuar me 9000 euro e me 4500 euro për ndezjen e fishekzjarrëve.
8000 euro rumunët do të paguajnë në UEFA për përdorimin e dritës me laser e 12 mijë e 500 euro për fishkëllimat gjatë himnit të Kosovës.
14 mijë euro është dënimi i UEFA-s për bllokimin e rrugëve publike në stadium, ndërsa rumunëve u është dhënë vërejtje për sjelljen e pahijshme të ekipit.
Gjithsej gjoba është 128 mijë euro.
Thirrje antihungareze kishte edhe në ndeshjen e Rumanisë me Qipron dhe mediat rumune kanë shkruar për mundësinë që sërish Federata rumune të gjobitet për këtë arsye.
Rumania e fitoi me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen e ndërprerë, por është gjobitur rëndë. Vendimi i UEFA-s nënkupton se ndeshja u ndërpre për shkak të qëndrimit të lojtarët të Kosovës për të mos e vazhduar ndeshjen.
“Organizatori është përgjegjës për sjelljet e tifozëve. Për këtë Federata rumune i mori të gjitha gjobat. Duhet t’i ndajmë gjërat që ndodhin në fushë dhe ato në tribuna. Nga pikëpamja sportive, për atë që ndodhi në fushë, Rumania fitoi 3:0 pasi ekipi i Kosovës braktisi ndeshjen pa arsye të fortë. Kjo u shpjegua në vendim. Por ajo që bënë tifozët është krejt tjetër gjë dhe për sjelljet e tyre Federata mban përgjegjësi. Pasi sjellje të tilla të tifozëve rumunë janë të përsëritura. Për shembull, akuza për ksenofobi dhe sjellje diskriminuese për ndeshjen ndaj Kosovës, nuk ishte për thirrjet kundër Kosovës, por për thirrjet kundër Hungarisë”, ka thënë për mediat rumune Cristian Jura, president i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Rumanisë. Ai vlerëson se për sjelljet e tifozëve rumunë do të kishte dënime edhe sikur ndeshja të përfundonte në fushë. Pasi shkeljet janë të përsëritura, Jura thotë se Rumania është dënuar me një ndeshje pa shikues.
Ndonëse Kosova e humbi ndeshjen me rezultat zyrtar, Federata e Futbollit e Kosovës ka shkruar se “vendimi i UEFA-s konfirmon veprimet e arsyeshme të Kombëtares së Kosovës kundër sjelljeve raciste dhe mesazheve provokuese politike”.
FFK-ja nuk e ka përmendur fare që dënimi më i rëndë i është dhënë Rumanisë për thirrje antihungareze e jo për ato anti-Kosovë.
“Për FFK-në dhe lojtarët e Kombëtares tonë ky vendim është një konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve tona kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokuese e politike kundër Kosovës. Për këtë Rumania është dënuar me një vlerë totale prej 80.000 eurove. Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi t lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar”, shkruan në një komunikatë të FFK-së të publikuar të mërkurën mbrëma.
Në fakt, gjoba prej 80 mijë eurove është e ndarë në dy pjesë. 50 mijë për thirrjet antihungareze e 30 mijë për “transmetimin e mesazheve provokuese politike të papërshtatshme për ngjarjet sportive”. Kjo është shkruar shumë qartë në vendimin e UEFA-s.
Faktin se Kosova e humbi ndeshjen me rezultat zyrtar, FFK-ja e ka përmendur vetëm në pjesën e dytë të komunikatës. Ka paralajmëruar ankesa dhe apelim në Gjykatës e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.