Futboll

Pse Bellinghami është “tre mesfushorë në një”?

Jude Bellingham

Jude Bellingham tashmë e ka udhëhequr Real Madridin drejt titullin në La Liga. Ai po ashtu mund të jetë vendimtar në përpjekjet e madrilenëve për ta fituar titullin e 15-të të Evropës.

Në finalen e Ligës së Kampionëve, Real Madridi përballet me ish-skuadrën e Bellinghamit, Borussia Dortmund, të shtunën prej orës 21:00 në “Wembley”. Më pas Bellingham do t’i bashkohet përfaqësueses së Anglisë në grumbullimin për Euro 2024. Shpresat janë të mëdha që 20-vjeçari do ta udhëheqë Anglinë drejt trofeut të parë të madh pas 58 vjetësh.

Bellingham vlerësohet pretendent i madh që në të ardhmen ta fitojë Topin e Artë. Është një nga lojtarët më efikas në Spanjë dhe talent shumë i çmuar në Angli. Dhe ende është vetëm 20-vjeçar.
Por loja e Bellinghamit tashmë ka pësuar disa “evolucione stilistike”.

Pasi iu bashkua klubit të fëmijërisë si shtatëvjeçar, Bellingham përparoi shpejtë në Akademinë e Birmingham Cityt. Bëri debutimin me të rriturit me 16 vjet e 38 ditë. U bë lojtari më i ri në histori që luajti me të rriturit e Birminghamit.

Bellingham luajti një edicion të plotë për Birminghamin, duke regjistruar 41 paraqitje në Championship dhe duke shënuar katër gola para se të firmoste për Borussia Dortmundin për 25 milionë funte në verën e vitit 2020.

Kur ai u largua, Birminghami tërhoqi fanellën me numër 22 që adoleshenti e mbajti veshur gjatë shpërthimit të tij.

Është numri që e mbajti edhe në Gjermani dhe që ka pasur ndikim në zhvillimin e mesfushorit.
Derisa Bellinghami punonte me trajnerët e gjeneratave të reja te Birminghami, ata kanë dashur që në lojën e tij të përfshijnë elemente të mesfushorit defanziv (tradicionalisht numri 4 në futbollin anglez), lojtarit që nuk ndalet duke vrapuar në mesfushë dhe jep kontribut në mbrojtje e në sulm (8) dhe të mesfushorit kreativ (10). Dhe duke mbledhur tre numrat, fitohet numri 22. 

Kjo i shërbeu Bellinghamit gjatë shpërthimit te Birminghami.

“Kur kaloi në ekipin e parë, ai luajti në shumë pozita”, thotë Paul Robinson, që udhëhoqi Bellinghamin e ri në skuadrën e Birminghamit. “Ai luajti djathtas, majtas. Zhvillimit të tij i shërbeu paraqitja në pozita të ndryshme në fushë. Jude ishte gjithmonë i aftë të bënte këtë, për shkak të trurit të tij”.

Më shpesh, lojtari i lindur në Stourbridge luante si mesfushor qendror, duke diktuar lojën në mesin e fushës. 

“Kur ishte 15 apo 16-vjeçar, pozita e tij ishte numri gjashtë. Ishte në gjendje të merrte topin  dhe të diktonte ritmin me pasimin kualitativ. Nuk kam parë kurrë një lojtar kaq të ri të jetë kaq inteligjent sa i takon kuptimit të lojës”, ka shtuar Robinson.

Bellingham ka punuar në aspekte të lojës së tij, që tani, katër vjet më vonë, po japin fryte te Real Madridi.

Trajneri i dikurshëm i Bellinghamit ka treguar se me yllin aktual të Real Madridit kanë punuar shumë sa i takon goditjes së topit me kokë. 

Bellinghami shkoi në Dortmund si 17-vjeçar, me vetëm një edicion të luajtur te të rriturit. Anglezi megjithatë impresionoi bashkëlojtarët e tij me teknikën dhe fizikun që kishte.

“Ai kishte shumë besim”, thotë portieri i dikurshëm i Dortmundit, Roman Burki.

“Që në stërvitjen e parë kemi kuptuar që ai nuk heziton të futet në duele, të tregojë kualitetin që ka dhe mentalitetin. Që në fillim u kuptua se ai djalosh do të ishte i rëndësishëm për skuadrën tonë. Ishte shumë i ri kur erdhi. Fitoi përvojë shumë shpejt pasi luajti thuajse në çdo ndeshje. Mendoj se u përmirësua sa i takon marrjes së vendimeve dhe po ashtu sa i takon personalitetit”.

Fillimisht Bellingham te Dortmundi kishte rolin që e kishte te Birminghami – të organizimit të lojës. Por gradualisht u shndërrua në lojtar që mbulon shumë hapësirë. U bë më shumë forcë sulmuese. 
Në fazën e fundit të zhvillimit te Dortmundi, shtoi numrin e golave. Dhjetë gola i kishte në dy edicionet e para, ndërsa 14 i realizoi në edicionin e tretë.

Burki thotë se me teknikën, fizikun dhe mentalitetin që ka Bellingham, nuk është befasi që është i mirë edhe në realizim.

Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar lojën në sulm në edicionin e fundit te Dortmundi, pak njerëz kanë mundur të parashikojnë se Bellingham do të ishte kaq produktiv në edicionin e parë te Real Madridi.

Që kur u transferua në Real Madrid për 88,5 milionë funte në verën e kaluar, Bellingham ka shënuar 23 gola në 41 paraqitje. Është golashënuesi i tretë më i mirë në La Liga me 19 gola gjithsej.

“Pozita është e rëndësishme. Ai luan si numër 10 e ndonjëherë edhe më përpara te Madridi. Madrilenët kanë luajtur pa sulmues tipik në disa raste. Kështu Bellingham është paraqitur pas Rodrygos e Vinicius Jr. Ata kanë kaluar në krahë dhe kështu është krijuar hapësirë në qendër për Bellinghamin”, thotë eksperti i futbollit evropian, Andy Brassel.

Këtë vit, Bellingham ka shënuar më pak dhe ndikimi i tij në ndeshjet e mëdha të Championsit nuk ishte ai që pritej. Por Brassel beson në përparimin afatgjatë të superyllit anglez.

Bellingham mund të tërhiqet më prapa në fushë pas ardhjes së pritur të Kylian Mbappes. Por ai tashmë është ikonë në “Bernabeu” dhe themeli i çdo suksesi që Madridi do ta ketë në vitet e ardhshme. Me mentalitetin që ka, Bellingham do të synojë të jetë më i miri në botë. Prej më të mirëve tashmë është.