Më 18 tetor të vitit të kaluar Lavdim Zumberi u prezantua si lojtar i Feronikelit 74. Për ekipin nga Drenasi ka luajtur disa ndeshje. Luajti edhe në fundjavë në ndeshjen e xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Por ndeshja Ballkani – Feronikeli 74, që përfundoi baras 1:1, nuk është regjistruar nga Komisioni i Garave të Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21.
Kampioni i Kosovës pretendon se ish-reprezentuesi i Zvicrës U20, nuk ka të drejtë loje.
“Ata pretendojnë se lojtari nuk është i regjistruar në sistemin TMS. Nuk është çështje jona. I kemi përfunduar të gjitha procedurat. Zyrtari i klubit tonë i ka përfunduar të gjitha procedurat. Ai është duke luajtur te ne. Nuk është çështje e jona nëse ka lëshim teknik nga Federata. Mund të jetë lëshim teknik i Federatës. Por për ne ai është lojtar i rregullt. Ne si klub e kemi kartën e lojtarit. I kemi kryer të gjitha procedurat. Le të mbetet në përgjegjësinë e Federatës nëse ka lëshim teknik nga ana e tyre. Nuk duam as të marrim pikë pa arsye, por as të japim pikë. Do ta ndjekim deri në fund këtë procedurë”, ka thënë një zyrtar i klubit nga Drenasi për KOHËN në kushte anonimiteti.
Ballkani është në vendin e dytë me 37 pikë, dhjetë më pak se liderja Drita, kurse Feronikei 74 i fundit me 11 pikë. Pikët mund të ndryshojnë, nëse aprovohet ankesa e Ballkanit.