Futboll

Prokuroria thotë se të dyshuarit për kurdisje po intervistohen

Ulpiana - Vllzania ndeshja

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në ndeshjen Ulpiana – Vllaznia, e konstatuar si e kurdisur nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). 
Por zyrtarë të dy klubeve të Ligës së Parë kanë theksuar se ende nuk janë marrë në pyetje.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Aktualisht mund t'iu konfirmojmë se në kuadër të veprimeve hetimore janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe veprime të tjera konform dispozitave”, ka thënë të hënën për KOHËN, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë.

Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës të premten e shkuar caktoi dënimet për të përfshirët në kurdisjen e ndeshjes Ulpiana – Vllaznia Pozheran. 

Disiplinori i FFK-së kishte përjashtuar më parë dy klube nga Liga e Parë, ndërsa zyrtarin e Vllaznisë së Pozheranit, Agon Pira, e dënoi me një vit ndalesë të kryerjes së funksioneve zyrtare në klub, njëjtë si Meriton Isufin, zyrtar i Ulpianës. Po ashtu me nga një vit moslojë i dënoi futbollistët e Ulpianës, Samet Rexhepin, Ridon Llugiqin e Gentian Eminin.

Kryetari i klubit Ulpiana, Jeton Gashi, ka thënë se policia nuk ka intervistuar asnjë person të klubit.

“Ende askënd”, ka thënë Gashi për KOHËN.

Edhe zyrtari i Vllaznisë së Pozheranit, Agon Pira, thotë se nuk janë ftuar për intervistim.

“As unë dhe asnjë anëtar i kryesisë nuk jemi intervistuar. Edhe lojtarët nuk më kanë lajmëruar ende nëse i ka thirrur dikush. Ne jemi të hapur për drejtësinë, prokurorinë dhe policinë. Ftoj që sa më shpejtë të mbyllet ky proces dhe t’i hiqet kjo njollë e keqe klubit”, ka thënë Pira.

Ulpiana e Vllaznia janë përballur më 7 prill në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Skuadra mysafire fitoi 4:3. Organet e FFK-së, fillimisht komisioni i garave e më pas edhe disiplinori, kanë konstatuar se “në pjesën e dytë të ndeshjes ekipi vendas tregoi mungesë të qartë angazhimi në lojë, qëllimisht duke lejuar hapësira të shumta për kundërshtarët dhe duke lehtësuar punën për ekipin mysafir. Kjo situatë u reflektua edhe në shënimet e golave, duke bërë të mundur kthesën e rezultatit nga 3:1 në 3:4”.

Sipas vendimit, Ulpiana ka pasur raste për të barazuar, por me qëllim nuk e ka bërë këtë. 

Pas këtij konstatimi dhe duke u mbështetur në fakte të tjera, FFK-ja largoi nga Liga e Parë dy klubet.