(kicker.de) – Pavarësisht zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Mërgim Berishën të enjten e kaluar, sulmuesi i penduar nuk u kthye në skuadrën e Hoffenheimit për ndeshjen e së shtunës ndaj Bochumit. Ai ishte vetëm në tribunë si shikues dhe më vonë edhe në zhveshtore, pas fitores 3:1 në Bundesligë.
Nuk ishte befasi që 26-vjeçari nuk u përfshi në ekip. Pas pezullimit në fillim të muajit, Berisha nuk ka ushtruar me lojtarët e tjerë të Hoffenheimit. Ai iu bashkua ekipit vetëm pasi u sqarua incidenti.
“E kam ndjenjën që ai ka deklaruar dëshirën e madhe që të kthehet dhe po ashtu ka kërkuar falje në mënyrë të duhur ndaj trajnerit, ndaj meje dhe ndaj ekipit. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë drejtori i ri sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, pas ndeshjes me Bochumin.
Por kjo nuk do të thotë patjetër që Berisha do të kthehet menjëherë.
“Ai është në rrugën e kthimit”, ka vazhduar Schicker. “Tani do të vëzhgohen sjelljet e tij nga stërvitja në stërvitje, nga java në javë. Por çështja është sqaruar”.
Në esencë, do të jetë periudhë testuese për Berishën, që ndonjëherë shfaqet nervoz dhe ishte abuziv ndaj trajnerit Pellegrino Matarazzo. Ai është paraqitur në pesë ndeshjet e para në Bundesligë, ndërsa kishte një gol dhe një asistim. Startoi në tri ndeshje dhe ishte zëvendësues në dy të tjera.
“Ai është lojtar kualitativ të cilin duam ta shohim sërish në fushë”, ka thënë drejtori sportiv Schicker.
Pas pushimit të gjatë pas këputjes së ligamenteve, Berisha është kthyer në formë së fundi, duke shënuar gol ndaj Leverkusenit dhe duke kontribuuar me asistim në ndeshjen ndaj Bremenit. Por pasi Stanley Nsoki u përjashtua, ndeshja mori kahe tjetër dhe Matarazzo e nxori Berishën herët nga loja për arsye taktike. Sulmuesi u nervozua për këtë dhe kaloi nivelet e tolerueshme, jo vetëm në ditën e ndeshjes, por edhe të nesërmen.
Tani Berisha duhet të gjejë nivelin më të mirë fizik në stërvitje dhe të punojë për të rifilluar. Mbetet të shihet nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes në Ligën e Evropës ndaj Portos.
Ka shumë mundësi për të luajtur tani. Hoffenheimi ka ndeshje në Bundesligë të dielën. Të mërkurën e javës së ardhshme luan në Kupë të Gjermanisë ndaj Nuernbergut e më pas takohet me St. Paulin e promovuar.