Futboll

Prishtina synon mbrojtjen e Kupës për të siguruar Evropën

KF Prishtina

Te skuadra e Prishtinës i kanë dhënë shumë rëndësi statistikave para ndeshjes finale të Kupës së Kosovës kundër Ballkanit. Klubi “bardhekalër” ka publikuar disa statistika që i takojnë të kaluarës në garën për Kupë. 

Në klubin Prishtina krenohen që nuk kanë pësuar disfatë në tetë ndeshjet e fundit nga Ballkani. Kanë kujtuar edhe triumfin në Superkupë, ndeshje e cila u zhvillua në Antalia të Turqisë. Për Prishtinën, trofeu në Superkupë ishte i 30-ti nga viti 1992. Tani Prishtina synon ta mbroj Kupën e Kosovës.

Prishtina ka kohë që rrugën e vetme për ta siguruar Evropën e kishte garën në Kupë. Për të siguruar daljen në Evropë, Prishtinës i duhet fitorja ndaj Ballkanit në finale e cila luhet të mërkurën në Drenas. Në rast se Prishtina humb në finale, në kualifikimet e Ligës së Konferencës do të paraqitet Malisheva nga pozita e katërt. 

“Finale për të arritur objektivin që është vendosur nga të gjithë, ekipi dhe klubi. Besoj se është finale që duhet ta fitojmë, sepse Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe nuk mund të ngelë pa e ngritur një trofe në sezon. Është e vetmja rrugë që Prishtina siguron Evropën dhe Prishtina e meriton të jetë në Evropë. Unë jam gjithmonë optimist në çdo betejë, në çdo luftë që futem dua të jem fitimtar. Nesër duam të shohim diçka interesante, të bëjmë mrekullinë, duke besuar në aftësitë tona dhe gjithmonë duke besuar në Hirin e Zotit”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Emmanuel Egbo.