Futboll

Prishtina pritet t’i kërkojë deri 3.6 milionë, FFK-ja akuzon KAS-in e Salihun

FC Prishtina - trofeu

Një ditë pasi Këshilli për Arbitrazh Sportiv (KAS) vendosi se ankesa e Prishtinës ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës ishte e bazuar, FFK-ja doli me një reagim të gjatë.

Prishtina nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave evropiane. Por klubi prishtinas nuk e kishte pranuar këtë vendim dhe i ishte drejtuar KAS-it, që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Dhe ky organ të martën ka vendosur se ankesa e Prishtinës kundër FFK-së ishte e bazuar. KAS-i ka vendosur të anulohet vendimi i 26 majit të vitit 2023, që nuk e licenconte Prishtinën. Vendimi mund të jetë i vonshëm, por gjithsesi nuk do të kalojë pa pasoja.  

FFK-ja të mërkurën ka paralajmëruar padi dhe kallëzim penal ndaj KAS-it. Po ashtu ka paralajmëruar se do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) me seli në Llozanë për vendimin që ka marrë KAS-i i Kosovës. Pra për pranim të vendimit nga FFK-ja nuk e ka përmendur mundësinë e pranimit të vendimit të KAS-it. 

“FFK-ja në ditët në vijim do të adresojë këtë vendim pranë institucioneve të drejtësisë në Kosovë përmes një padie dhe kallëzimi penal, si dhe do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Llozanë. Ky veprim synon të parandalojë që individë brenda KAS-it të Komitetit Olimpik të Kosovës të abuzojnë me autorizimet ligjore për qëllime të hakmarrjes ndaj ish-punëdhënësve të tyre dhe për të mbrojtur integritetin e drejtësisë sportive në vend”, shkruan në reagimin e FFK-së.

Në reagimin e gjatë të FFK-së është përmendur emri i Eroll Salihut. 

Salihu në të kaluarën ka qenë për shumë vjet sekretar i Përgjithshëm i FFK-së. Tani është kryetar i KAS-it.

“Kemi vërejtur një ndikim të panevojshëm të individëve të përfshirë në KAS, në veçanti të z. Eroll Salihu, ish-sekretar i FFK-së, i cili vazhdimisht ka ndërhyrë dhe ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të marrë vendime që e dëmtojnë FFK-në. KOK-u ka qenë i njoftuar për ndikimet e mundshme për shkak të z. Salihu, motivet e tij personale dhe mundësinë që ky proces të cenohet, por përkundër kësaj ka lejuar që KAS-i të marrë një vendim të kundërligjshëm”, shkruan tutje në reagimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

FFK-ja ka shkuar tutje duke vlerësuar se KAS-i nuk përfaqëson qëndrimin e të gjithë anëtarëve të panelit. Sipas FFK-së, vendimi nuk është nënshkruar nga njëri prej anëtarëve të panelit, Fisnik Salihu. 

“Vendimi është nënshkruar vetëm nga zonja Jehona Shyti, sekretare e Eroll Salihut dhe nga anëtari i KAS-it i emëruar nga FC Prishtina. Kjo përbën konflikt interesi, pasi Salihu, i cili është shpesh i përfshirë në akuza ndaj FFK-së dhe aktualisht është në procedura gjyqësore kundër saj, ka caktuar si kryesuese të panelit sekretaren e tij, zonjën Shyti”, shkruan në fillim të reagimit të FFK-së.

FFK-ja pretendon se në vendim janë injoruar pretendimet e paraqitura prej saj.

“Kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me parimet e drejtësisë sportive, por tregon një përpjekje të dukshme për të penguar përfaqësimin e drejtë të çështjeve të FFK-së në KAS të Komitetin Olimpik të Kosovës. Në vend që të analizonte fakte dhe argumente të bazuara, KAS-i ka anashkaluar përmbajtjen për çështje procedurale, gjë që tregon për qëllime dashakeqe dhe të njëanshme”.

FFK i ka bërë thirrje Komitetit Olimpik të Kosovës dhe KAS-it të rishikojnë me kujdes këtë vendim dhe të shfaqin qartazi përkushtimin ndaj parimeve të drejtësisë sportive.

Salihu mohon ndikimin: Në KAS nuk blihen njerëzit

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka mohuar se ka pasur ndikim në vendim. Salihu ka thënë se në KAS nuk blihen njerëzit.  

“Është rasti i dytë pas atij për Dinamon. Në asnjërin rast nuk kam qenë pjesë e diskutimit dhe as nuk e kam caktuar kryetarin e panelit. Vetë këshilli e ka bërë për shkak, ta quajë konflikt interesi, sepse nuk ka konflikt, pasi unë si kryetar nuk kam marrë pjesë në vendim. Por thjesht këta njerëz janë mësuar të blejnë njerëz, këtu nuk mund t’i blejnë njerëzit. Po mundohen ta largojnë vëmendjen nga problemet e veta, parregullsitë e veta. Shikoni se çfarë i bën Dinamos, tash edhe Prishtinës. Një zot e di. Jeni të bindur se nuk e kam ditur as vendimin që është marrë, pasi është stërzgjatur ky proces”, ka thënë Salihut të mërkurën për KOHËN.

Deri më tani jo të gjitha vendimet e KAS-it janë zbatuar. Për shembull ai i fituar nga Dinamo ndaj FFK-së.

Prishtina, si fituese e Kupës së Kosovës, nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave të UEFA-s. Ai vendim ia mohojë Prishtinës paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës, që do të sjelltë qindra mijëra euro për klubin.

“Unë po them se Gjykata ka qenë plotësisht e pavarur. Njerëzit e këqij mendojnë se të gjithë janë të këqij. Hajnat, mashtruesit mendojnë se janë të gjithë të tillë. Po bëjnë parregullsi, mashtrime dhe gënjeshtra. Futbollin po e udhëheq një avokat që lidhje nuk ka me futboll”, është shprehur tutje Salihu.

Prishtina pritet t’i kërkojë deri 3.6 milionë euro kompensim

Edicioni 2023/2024 ka përfunduar dhe Prishtina nuk mund ta kthejë atë që, sipas KAS-it, ia mohoi pa të drejtë FFK-ja. Por paratë që do të mund t’i fitonte, Prishtina do t’i kërkojë tani. Natyrisht, do t’i kërkojë nga FFK-ja, të cilën KAS-i e vlerësoi fajtore.   

“Dëmi që na është bërë nuk mund të kompensohet me para”, ka thënë shkurt drejtori i klubit, Artan Osmani, të mërkurën për KOHËN.

KOHA mëson se Prishtina pritet të kërkojë deri në 3.6 milionë euro kompensim nga FFK-ja.

“Do të shohim, sepse duhet të bëhet ekspertizë financiare. Është proces në vete. Ka mekanizma të tjerë dhe besoj se do t’i ndjekim. Prishtina ka një avokat të angazhuar, por do të analizohet situata. Dëmi që na është bërë duhet të jetë mes 1.3 dhe 3.6 milionë euro. Kaq mund të kërkohen dëmshpërblim”, ka thënë për KOHËN një zyrtar i lartë i klubit Prishtina në kushte anonimiteti. 

Prishtina të martën vlerësoi se krahas dëmit material, FFK-ja i ka shkaktuar dëm moral dhe prishje të imazhit.

Të tjera reagime priten në ditët e ardhshme.