Kupa e Kosovës

Prishtina në Gjilan për ta siguruar finalen e madhe

Prishtina - Drita

Te skuadra e Prishtinës kërkojnë kalimin në finale të Kupës së Kosovës në futboll.

Kupa është shpresa e vetme e Prishtinës për të siguruar daljen në Evropë për edicionin 2024/2025.

Për ta siguruar për herë të 12-të finalen e Kupës, Prishtinës i duhet të mërkurën ta kaloj një sfidë të vështirë. Në fushën me bar sintetik në Gjilan, Drita e Prishtina e luajnë ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës. Ndeshja nis në orën 15:00. Ndeshja e parë e zhvilluar në Lipjan, e në të cilën Prishtina ishte vendase, kishte përfunduar pa gola.

Prishtina është fituese në fuqi e Kupës. Te kjo skuadër e cilësojnë ndeshjen ndaj Dritës si më të rëndësishmen e këtij viti.

“Na pret një ndeshje mjaft e vështirë, me kundërshtar të fortë. Mirëpo, ne jemi Prishtina dhe në secilën ndeshje futemi për të marrë maksimumin. Duhet dhënë gjithsecili angazhim më shumë se maksimal nga vetja, duke zbatuar në përpikëri detyrat nga stafi për të qenë një trup i vetëm në fushë. Besoj që së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha”, ka thënë futbollisti Muhamed Useini për faqen e klubit.

Skuadra e Prishtinës në fundjavë shënoi fitore në kampionat ndaj Malishevës me rezultatin 1:0. Drita barazoi 2:2 me Ballkanin, në derbin e xhiros së 30-të të Superligës.

Prishtina është në vendin e pestë me 43 pikë, kurse Drita është në vendi ne dytë me 58 pikë. Drita është në garë edhe për titull të kampionit, ndërsa daljen në Evropë e ka thuajse të sigurt. Katër skuadra kualifikohen për Evropë, tri nga kampionati e një nga kupa.

Sipas statistikave të paraqitura nga Prishtina, Drita ka qenë skuadër më e suksesshme nga 12 përballjet e fundit. Prishtina ka shënuar tri fitore, tri ndeshje përfunduan baras e gjashtë ndeshje i takuan Dritës. Por Prishtina ka dhjetë fitore më shumë nga 66 përballje sa janë gjithsej.

Prishtina e Drita për Kupë janë takuar pesë herë. Skuadra prishtinase nuk ka pësuar asnjëherë duke arritur tri fitore e dy barazime.

Interesante vlerësohet të jetë edhe përballja tjetër gjysmëfinale e Kupës. Në Suharekë do të takohen lideri i Superligës, Ballkani, dhe liderja e Grupit A të Ligës së Parë, Suhareka. Ndeshjen e parë të dy skuadrave nga Suhareka e fitoi Ballkani, 1:0.

Te Ballkani pranojnë se edhe derbi i dytë i qytetit nuk do të jetë i lehtë.

“Nuk kemi ndonjë rezultat bindës nga ndeshja e parë dhe kjo na bënë të jemi shumë të vëmendshëm, sepse shumë lehtë ndeshja mund të marrë kahe tjetër. Jemi përgatitur për ta fituar ndeshjen dhe për të arritur në finale, për të vazhduar më të qetë rrugën në kampionat. Ekipi i Suharekës jo rastësisht është në vendin e parë dhe konkurrent kryesor për t’u futur në Superligë. Ka shumë lojtarë cilësorë që kanë fituar shumë trofe. Kjo e bën një ndeshje shumë të vështirë, mirëpo jemi favoritë dhe duhet ta dëshmojmë në fushë që të arrijmë qëllimin që kemi për të siguruar finalen”, ka thënë mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi.

Trajneri i Suharekës, Arsim Thaqi, thotë se të mërkurën do të jetë ditë feste në Suharekë.

“Mendoj se do të jetë ditë festive në Suharekë. Për Suharekën është shumë e rëndësishme të bëhet kampion në Ligën e Parë dhe të bëjë gara në Superligë vitin e ardhshëm. Ne edhe në këtë ndeshje do ta japim maksimumin si në çdo ndeshje tjetër. Jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe jemi në vendin e parë në ligë dhe ky është sukses shumë i madh. Ballkani është favorit dhe ka avantazh prej 1:0 nga ndeshja e parë. Por nuk do të thotë se ne do të dorëzohemi. Do ta japim maksimumin dhe të tentojmë të arrijmë në finale që normalisht do të ishte historike për Suharekën”, ka thënë Thaqi.

Këto dy ndeshje është dashur të zhvillohen të mërkurën e kaluar, por janë shtyrë.