Futboll

Prishtina sërish nuk fiton ndaj Suharekës

FC Suhareka FC Prishtina

(13:56) - Prishtina nuk ka fituar ndaj Suharekës as në përballjen e tretë mes tyre.

Në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në futboll, Prishtina të shtunën barazoi me Suharekën 2:2. Ishte edhe ballafaqimi i parë për këto skuadra në stinorin pranveror.

Ndeshja u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Prishtina kishte barazuar edhe në ndeshjen e parë më 11 gusht të vitit të kaluar pa gola në kryeqytet, ndërsa ishte mposhtur 2:1 më 27 tetor në ndeshjen e dytë në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Për Prishtinën, që ka katër ndeshje rresht pa fitore në elitën e futbollit kosovar, dy gola i shënoi Leotrim Kryeziu.

Qendërsulmuesi i “bardhekaltërve” golin e parë e realizoi në minutën e 38-të, kur e shtyu topin në portën e zbrazët pas veprimit shumë të mirë individual në zonë nga mbrojtësi i krahut të majtë, Dion Gallapeni.

Por, një minutë para se të mbyllet pjesa e parë, qendërmbrojtësi Ardian Limani shënoi autogol, pas harkimit në zonë nga Fitim Susuri.

Suhareka në minutën e 57-të e siguroi epërsinë e një goli.

Për 2:1 në të mirë të mysafirëve shënoi Mevlan Zeka.

Prishtina nuk u dorëzua dhe dhjetë minuta para fundit, i barazoi shifrat në 2:2.

Kryeziu gjuajti fuqishëm nga distanca për ta vendosur rezultatin përfundimtar.

Prishtina me këtë barazim mbetet me 28 pikë në pozitën e katërt, dy më pak se Malisheva që është e treta.

Suhareka e pesta ka 26 pikë.


Tjetër gol në “Fadil Vokrri”

(13:38) - Prishtina nuk është dorëzuar dhe ka barazuar rezultatin ndaj Suharekës.

Leotrim Kryeziu ka shënuar sërish.

Ai në minutën e 80-të gjuajti fuqishëm nga distanca dhe e mposhti portierin e Suharekës pë rezultatin 2:2.


Suhareka përmbys rezultatin

(13:15) - Mevlan Zeka e ka kaluar në epërsi Suharekën në duelin ndaj Prishtinës.

Zeka nga afërsia shënoi për epërsinë e suharekasve 2:1, në minutën e 57-të.


Barazohet rezultati në “Fadil Vokrri”

(12:48) - Suhareka ka barazuar shpejtë shifrat në duelin ndaj Prishtinës.

Në minutën e 44-t, qendërmbrojtësi Ardian Limani shënoi autogol, pas harkimit në zonë nga Fitim Susuri.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.


Prishtina në epërsi

(12:42) - Prishtina ka kaluar në epërsi ndaj Suharekës. Pas një lëvizje të mirë individuale në zonë nga Dion Gallapeni, Leotrim Kryeziu.

Kryeziu në minutën e 38-të e shtyu topin në portën e zbrazët pas asistimit të Gallapenit. Goli u pranua pas rishikimit të situatës në VAR.

Ndeshja i takon xhiros së 19-të të Superligës dhe po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.