Futboll

Prishtina me trajner me përvojë nga Franca

Jean Michel Cavalli

Jean-Michel Cavalli do ta drejtojë skuadrën e futbollit Prishtina në edicionin 2024/2025. Cavalli 66-vjeçar të dielën është zyrtarizuar si trajner i klubit prishtinas të futbollit, që nuk siguroi daljen në Evropë.
Pra i gjithë fokusi i Cavallit dhe shtabit të tij do të jetë te suksesi në garat vendore, kampionat e kupë.

Së fundi Prishtinën e drejtoi nigeriani Emmanuel Egbo. Prishtina u mposht në finale të kupës dhe përfundoi e pesta në kampionat.

Për kampionatin e ri, Prishtina ka vendosur t’i besojë trajnerit nga Franca që  ka theksuar se ka informata për futbollin kosovar.

“E njoh futbollin e Kosovës sepse i kam parë ndeshjes e Kombëtares nga koha kur ekipin e udhëhiqte shoku im i ngushtë, Alain Giresse. Puna e trajnerit e ka këtë, lëvizjte e shumta. Dje isha në Francë, sot në Kosovë, nesër diku tjetër. Futbolli në Kosovë është në ngjitje dhe tani jam tek emri më i madh i futbollit kosovar, FC Prishtina, që ka stadium të bukur, tifozë të zëshëm dhe emri i saj ka jehuar larg nëpër ndeshje të shumta të garave ndërkombëtare”, ka thënë Cavalli për sajtin zyrtar të Prishtinës.

Cavalli sjell te Prishtina përvojën e gjatë të fituar gjatë karrierës prej tri dekada e gjysmë. Së fundi ishte te Club African në Tunizi. Më herët e drejtoi përfaqësuesen e Nigerit për tre vjet. Drejtoi Oranin në Algjeri, Al Ittihad Alexandrian në Egjipt, Al Hilalin në Sudan. Në Francë ka drejtuar klube të njohura si Lille, RC Paris, Creteil, Ajaccio. Ka punuar edhe në Greqi, Arabi Saudite, Marok, Itali.
Sa u takon përfaqësueseve, pos Nigerit ka drejtuar edhe Alergjinë.

Cavalli ka lavdëruar presidentin e Prishtinës. Ka thënë se oferta e tij e bindi të kthehet në Evropë dhe tani synon me Prishtinën kreun e tabelës dhe daljen në Evropë.

Rrethanat do të jenë dukshëm më të favorshme për Cavallin se që ishin për Egbon. Prishtina më së largu në vjeshtë pritet të kthehet në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjet si vendase. Edicionin e kaluar si nikoqire luajti në vende të tjera, kryesisht në Lipjan.