Futboll

Prishtina fiton derbin dramatik ndaj Llapit

Prishtina

21:08 - Prishtina dy herë ishte në disavantazh ndaj Llapit në kryendeshjen e xhiros së katërt të elitës së futbollit të Kosovës. Por dy herë u kthye në lojë, dhe në fund e fitoi ndeshjen dramatike në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Për Prishtinën ishte fitorja e dytë rresht krahas barazimit në duelin ndaj Suharekës, kurse Llapi e pësoi humbjen e dytë të njëpasnjëshme, pas një barazimi e një fitoreje. 

Me pikët e plota të fituara të shtunën mbrëma, Prishtina tani ka shtatë pikë në vendin e dytë, por ka zhvilluar vetëm tri ndeshje. Edhe Ballkani me tri ndeshje aktualisht ka shtatë pikë dhe i prinë tabelës. 
Llapi zë vendin e gjashtë me katër pikë në po aq ndeshje të luajtura. 

Pak para se Llapi të shënonte për 1:0, pati moment frike. 

Ardi Hajdini i Prishtinës dhe Valmir Veliu i Llapit u përplasën në një duel. Ishte Veliu që u lëndua më shumë, dhe u largua nga fusha me autoambulancë. Ai u duartrokit nga të pranishmit në stadium në shenjë përkrahjeje. 

Llapi më pas shënoi për 1:0 në minutën e 33-të me sulmuesin Ahmed Januzi. 

Zëvendësuesi i Hajdinit, mbrojtësi Leonat Vitija, i barazoi shifrat në minutën e gjashtë të shtesës në pjesën e parë. 

Llapi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina shënoi edhe një herë tjetër për 2:1, në minutën e 56-të. Mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori, realizoi me gjuajtje të fuqishme nga zona. 

Prishtina e trajnerit Jean-Michel Cavalli barazoi shifrat sërish në 2:2 me supergolin e Albin Krasniqit, në minutën e 69-të. 

Fitoren dramatike “bardhekaltrit” e Prishtinës e siguruan në minutën e 77-të. 

Shënues ishte sulmuesi Yoan Marc-Olivier, që po ashtu u inkuadrua nga banka rezervë, në minutën e 65-të.

Ai gjuajti në portë. Tentimin e tij e priti portieri Ilir Avdyli, por topi kishte kaluar vijën e portës dhe goli u pranua nga gjyqtari Genc Nuza. Nuza më pas me ndihmën e VAR-it, rikonfirmoi se goli ishte i rregullt.

Gjatë ditës në Drenas u zhvillua edhe ndeshja mes Feronikelit 74 dhe Dukagjinit. Dukagjini i drejtuar nga Ismet Munishi fitoi 2:0 në “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Në pjesën e parë pati incident i krijuar nga tifozët vendës. Ndeshja u ndërpre për dhjetë minuta, derisa u zbraz pjesa e tribunës ku u shkaktua incidenti. 

Të dielën zhvillohen ndeshjet Suhareka – Gjilani dhe Malisheva – Ballkani. Drita luan të hënën ndaj Ferizajt.


Drama në Prishtinë nuk ndalet

20:44 - Ndeshje dramatike vazhdon të zhvillohet në “Fadil Vokrri”. 

Dhe tani Prishtina është në epërsi 3:2 ndaj Llapit. 

Shënues i golit të epërsisë për “bardhekaltrit” e kryeqytetit ishte Yoan Marc-Olivier, në minutën e 77-të.

Ai gjuajti në portë. Tentimin e tij e priti portieri Ilir Avdyli, por topi kishte kaluar vijën e portës dhe goli u pranua nga gjyqtari Genc Nuza. Nuza më pas me ndihmën e VAR-it, rikonfirmoi se goli ishte i rregullt.


Supergol i Krasniqit në derbin e zjarrtë

20:35 - Mesfushori Albin Krasniqi ka shënuar supergol për Prishtinën që e ka barazuar rezultatin në 2:2 ndaj Llapit. 
Krasniqi në minutën e 69-të shënoi me gjuajtje të saktë nga distanca.


Llapi kthen epërsinë në “Fadil Vokrri”

20:22 - Mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori, ka shënuar golin për 2:1 në të mirë të Llapit, në duelin ndaj Prishtinës në minutën e 56-të. 

Elvir Gashijani e nisi aksionin, ndërsa Ahmed Januzi asistoi për Blakçorin që e mposhti portierin Ardit Nika me gjuajtje të fuqishme nga zona.


Vitija shënon ndaj Llapit, mbyllet pjesa e parë

19:57 - Pjesa e parë e ndeshjes derbi të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll mes Prishtinës dhe Llapit, është mbyllur 1:1. 

Llapi në ndeshjen që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kaloi në epërsi në minutën e 33-të me golin e Ahmed Januzit. 

Ndërkohë shifrat i barazoi Leonat Vitija, në minutën e gjashtë të shtesës në pjesën e parë. 

Vitija hyri në lojë si zëvendësues në vend të të lënduarit, Ardi Hajdini. 

Hajdini dhe Valmir Veliu i Llapit u përplasën në një duel. Më i lënduar mbeti Veliu që u largua nga loja me autoambulancë.


Llapi në epërsi

Llapi ka kaluar në epërsi në derbin e xhiros së katërt të Superligës ndaj Prishtinës. 

Ahmed Januzi me asistim të Elvir Gashijanit realizoi për skuadrën e Llapit, në ndeshjen që po luhet në “Fadil Vokrri“. 

Para shënimit të golit nga loja janë larguar Ardi Hajdini i Prishtinës dhe Valmir Veliu i Llapit. Ata u përplasën në një duel dhe më pas Veliu u largua me autoambulancë. 

Të dyja ekipet në këtë pjesëlojë patën rastet e veta për shënim. 

Ronald Sobowale rrezikoi te Prishtina, ndërsa Blend Baftiu te Llapi. Por deri tani u shënua vetëm një gol.