Pas disfatës së pësuar nga Feronikeli 74 në ndeshjen për inkuadrim apo mbetje në Superligën e Kosovës në futboll, skuadra e Ligës së Parë – Grupi B, Prishtina e Re, ka reaguar nëpërmjet Facebookut, duke pretenduar se i është “vjedhur titulli”.
“Nuk ia dolëm sot, por do të kthehemi edhe më të fortë. Djelmoshat tanë treguan paraqitje shumë të mirë, por sot ishim krejtësisht të pafat, u ndëshkuam në frymën e fundit, në minutën e 97-të. Në vitin tonë të parë në Ligën e Parë treguam fytyrë të kampionit, në të gjitha aspektet, por titulli na u ‘vodh’! Jemi shumë krenar për këta futbollistë, staf teknik e të gjithë në këtë klub sepse gjithçka deri këtu e kemi bërë me dinjitet, djersë e profesionalizëm”, ka shkruar Prishtina e Re në Facebook.
Prishtina e Re do ta vazhdojë garën në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës edhe për një edicion tjetër, pasi të shtunën u mposht 1:0 nga Feronikeli 74.
Barazhin e Ligës së Parë, Prishtina e Re e fitoi ndaj Dinamos, pas ekzekutimit të penalltive.