Egzon Bislimi priti disa penallti, duke përfshirë të fundit, për të udhëhequr Prishtinën e Re drejt triumfit në barazhin e Ligës së Parë të Kosovës në futboll.
Të dielën në Drenas, Prishtina e Re e mposhti Dinamon e Ferizajt me rezultatin 7:6 pas penalltive. Në kohën e rregullt rezultati ishte 2:2 e pas vazhdimeve 3:3.
U gjuajtën nga 12 penallti, ndërsa për një penallti më të saktë ishin lojtarët e klubit nga Hajvalia. Protagonistë ishin portierët, Bislimi i Prishtinës së Re dhe Leutrim Rexhepi i Dinamos.
Tani Prishtina e Re luan me Feronikelin 74 për vend në Superligë në edicionin e ardhshëm. Ndeshja e barazhit për Superligë është më 1 qershor në Klinë.
Prishtina e Re ishte e dyta në Grupin B të Ligës së Parë, ndërsa Dinamo ishte e dyta në Grupin A të Ligës së Parë.
Feronikeli 74 ka përfunduar i teti në Superligë.
Penalltitë do ta vendosin fituesin në mes Dinamos dhe Prishtinës së Re
Pas 120 minutash nuk ka fitues në ndeshjen ndërmjet Dinamos dhe Prishtinës së Re .
Dinamo dhe Prishtina e Re kanë barazuar me rezultat 3:3 në barazhin e Ligës së parë të Kosovës në futboll.
Penalltitë do ta caktojnë fituesin e ndeshjes.
Dinamo barazon rezultatin ndaj Prishtinës së re
Dinamo ka barazuar rezultatin në 3:3 ndaj Prishtinës së re në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë të Kosovës në futboll.
Mbrojtësi Dardan Jashari realizoi autogol në minutën e 106-të, dhe ia siguroi barazimin skuadrës së Dinamos.
Aktualisht Dinamo dhe Prishtina e re janë duke barazuar me rezultat 3:3.
Prishtina e re në epërsi ndaj Dinamos
Skuadra e Prishtinës së re ka kaluar në epërsi ndaj Dinamos me golin e Urim Statovcit. Statovci ka realizuar në minutën e 104-të për 3:2.
Aktualisht Prishtina e re është duke fituar me rezultat 3:2, ndaj Dinamos në barazhin e Ligës së Parë të Kosovës në futboll.
Ndeshja e barazhit të Ligës së Parë shkon në vazhdime
Ndeshja e barazhit të Ligës së Parë ndërmjet Dinamos dhe Prishtinës së Re, ka shkuar në vazhdime.
Koha e rregullt u mbyll 2:2, ndërsa po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Fidan Gërbeshi në minutën e 22-të shënoi për Dinamon nga penalltia, ndërsa Salih Kosumi i barazoi shifrat në shtatë minuta më vonë.
Dinamo sërish kaloi në epërsi me golin e minutës së tretë të shtesës në pjesën e parë. Shënues ishte DAniel Tette.
Por, Prishtina e Re nuk u dorëzua dhe barazoi rezultatin me Vigan Ademin, dy minuta pasi nisi pjesa e dytë.
Rezultati nuk ndryshoi më dhe fituesi do të përcaktohet pas vazhdimeve dy herë nga 15-të minuta, apo ekzekutimit të penalltive nëse rezultati nuk ndryshon.
Fituesi i këtij ballafaqimi do të luajë kundër Feronikelit 74 në barazh.
Ajo ndeshje luhet më 1 qershor në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.