Futboll

Presidenti i Federatës rumune: Ndërprerja ishte plan i lojtarëve, përfaqësuesit e federatës dëshironin që ndeshja të vazhdonte

Razvan Burleanu

Presidenti i Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu, ka folur për herë të parë për ndeshjen e ndërprerë mes Kosovës dhe Rumanisë. Burleanu ka thënë të hënën se ndërprerja ishte plan i lojtarëve të Kosovës. Sipas tij, përfaqësuesit e federatës kosovare kanë dashur që ndeshja të vazhdojë, të vetëdijshëm për pasojat e mundshme.

Në fakt nga FFK-ja dhe nga shtabi teknik i Kosovës kanë thënë se vendimi për të braktisur ndeshjen ishte i të gjithëve, pas thirrjeve “Serbia, Serbia” nga tifozët rumunë.

“Situata është shumë e qartë për ta interpretuar. Kur është biseduar në takimin teknik, në ditën e ndeshjes, është thënë që thirrjet ‘Kosova është Serbi’ nuk janë thirrje që hyjnë në rregullat e racizmit. Është thjeshtë thirrje politike. Tifozët tanë këtë herë janë sjellë në mënyrë shembullore për 92-93 minuta. Mendoj se ishim model i vërtetë se si do të donim të priteshim në Prishtinë nga kosovarët”, ka thënë Burleanu, shkruan “sport.ro”.

“Bazuar në këtë sfidë, ne vërtetë mendojmë se ishte plan i lojtarëve. Kam ndier nga të gjitha bisedat që përfaqësuesit e federatës kanë dashur që ndeshja të vazhdojë, pasi i kanë ditur shumë mirë rreziqet. Rreziku nuk është vetëm të humbet ndeshja me 3:0, Në futboll, braktisja e fushës konsiderohet element që duhet të dënohet shumë ashpër. E presim këtë perspektivë nga UEFA”, ka vazhduar kryetari i federatës rumune.

Sipas tij, në federatën rumune konsiderojnë që ndeshja duhet të luhet në fushë. 

Burleanu thotë se lojtarët e Kosovës pasi kuptuan se nuk mund të fitojnë më shumë se 3:0, e aktivizuan skenarin dhe bënë çdo gjë për të ndërprerë ndeshjen.

“Incidenti i minutës së 93-të konfirmon këtë perspektivë dhe po ashtu fakti që tifozët tanë u provokuan. Sërish reagimi i tyre ishte shumë i kalkuluar. Si federatë i jemi frikësuar më të keqes dhe duam të falënderojmë të gjithë që ishin në stadium. Janë sjellë në mënyrë shembullore”, ka thënë Razvan Burleanu.

Në mbrëmjen para ndeshjes, Burleanu e Agim Ademi, si dhe drejtues të dy federatave kanë pasur darkë të përbashkët, sipas traditës. Është raportuar se delegacioni kosovar është mirëpritur nga Burleanu dhe bashkëpunëtorët e tij.