Premier League ka njoftuar se do t’i ketë dy afate kalimtare në këtë verë për t’i lejuar Manchester Cityt dhe Chelseat të transferojë lojtarë para Kupës së Botës për Klube.
Afati i parë kalimtar do të hapet të dielën më 1 qershor dhe do të zgjasë deri më 10 qershor. Më pas afati kalimtar do të mbyllet për pesë ditë, për t’u hapur sërish të hënën prej 16 qershorit, deri më 1 shtator.
Këtë verë, Kupa e Botës për Klube do të zgjerohet dhe do të jenë pjesëmarrës 32 ekipe.
Kupa e Botës për Klube mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 15 qershorit.
FIFA ka lejuar që lojtarët e rinj të regjistrohen për Kupën e Botës për Klube prej 1 deri më 10 qershor dhe më pas prej 27 qershorit deri më 3 korrik, për fazën nokaut.