Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi do ta vlerësojë të dielën si një prej netëve më të mira të karrierës së tij. Ai ua mohoi fitoren e parë mbretërve të Real Madridit. Muriqi shënoi golin e barazimit 1:1 për Mallorcan ndaj Realit, në ndeshjen e parë të La Ligas spanjolle. Për Realin në La Liga u paraqit për herë të parë edhe sulmuesi francez, Kylian Mbappe.
Trajneri i Vedat Muriqit dikur e quajti atë “bishë”. Të tjerët e quanin “pirat”.
Të jesh krenar që ndan fushën me yjet botëror, nuk mjafton për Muriqin. Në mëngjesin e së dielës shtypi spanjoll shkruante se është dita e Kylian Mbappes. Nata, i përkiste një lojtari tjetër. I takoi Vedat Muriqit, i cili shënoi golin e barazimit 1:1 të dielën ndaj Real Madridit, në kuadër të javës së parë të La Ligas spanjolle. Ai u shpall lojtari i ndeshjes.
“Është e mrekullueshme”, tha sulmuesi i Kosovës, shkruan “The Guardian” të hënën.
Muriqi merr lëvdata edhe nga trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate.
“Ka një çekiç në kokë. Ai na lejoi të marrim frymë lirshëm me golin e tij”, ka theksuar Arrasate.
Edhe më i lumtur se trajneri është shprehur vetë Muriqi.
“Duhet të jem i sinqertë. Është e mrekullueshme të shënosh kundër Real Madridit, Kylian Mbappes, Viniciusit, Rodrygos, Jude Bellinghamit...”, ka theksuar Muriqi.
“I thash Militaos se të gjithë jeni shumë të shpejtë. Është e pabesueshme. Ata janë lojtarët të mirë, yje të Botës. E kam parë Real Madridin kur isha i vogël dhe jam shumë krenar për veten që kam luajtur kundër Realit, që kam ndarë një fushë me ta”.
Muriqi ka qenë në humor të mirë pas paraqitjes së madhe kundër madrilenëve. Ka thënë se vështirësitë që i ka kaluar në jetë e kanë zhvilluar shumë si person.
“Në moshën 14-vjeçare unë jam rruar, të betohem. Jeta më bëri burrë, sinqerisht. Nuk kam qenë asnjëherë i vogël, as nga gjatësia e as nga mentaliteti. Që kur më vdiq babai, nuk isha kurrë i vogël. Kurrë”, ka treguar Muriqi, vazhdon shkrimi i “The Guardian” kushtuar Muriqit.
Ai ka folur edhe për luftën e Kosovës. Ka theksuar se ka parë gjëra që askush nuk duhet t’i shohë. Bashkë me familjen ai u largua drejt Shqipërisë. Ai në rrëfimin e tij ka treguar se babai i tij pësoi atak në zemër duke luajtur futboll me miqtë. Ai e ka pyetur veten pse nuk ia ktheu shpinën kurrë futbollit.
“E pyes edhe sot veten. Por gjithmonë jam përpjekur të marrë vetëm gjëra pozitive edhe nga momentet më të këqija. Dhe unë i thashë vetes ‘në rregull, do të bëhem futbollist sepse ai ishte futbollist dhe unë do ta ndjek atë”.
Muriqit i mungonte një udhërrëfyes në fëmijëri. Dajat e tij i thanë të harronte futbollin – duhej të fitonte. Askush tjetër nuk mendonte vërtet se mund të kishte karrierë, por thjesht do të luante sa për t’u argëtuar. Ai punonte në një restorant nga mosha 14-vjeçare. Nuk mbaroi shkollën – e kreu shkollën e mesme ‘online’, pasi iu bashkua Mallorcas. Ai bëri debutimin e tij si adoleshent, luajti në Turqi dhe Itali.
“Mallorca më bëri të mbijetoja si futbollist”, tha ai.
Këtë javë diçka e veçantë mbërriti në terrenin sportiv të klubit. Një fanellë e KF Liria, klubit të tij të parë me një simbol “pirati” në pjesën e përparme.
Të dielën mbërriti Real Madridi. Ai kishte bërë një rrugë të gjatë dhe nuk po ndalej. Në fund të natës rraskapitëse, të ngrohtë dhe frymëzuese, ai nuk u largua bosh.
“Jam tmerrësisht i lodhur. Por ia vlejti lodhja”, ka thënë Muriqi.