Futboll

Pesëmbëdhjetë vjetët e Edonës plot me trofe

Edona Kryeziu

Si fëmijë, Edona Kryeziu kishte për qëllim të bëhet sportiste e dalluar. Me vendosmëri, punë e sakrificë, ia ka dalë në karrierë.

Në 15 vjetët e kaluar në futbollin e Kosovës ajo është kurorëzuar me shumë e shumë trofe. Është prej më të dekoruarave në sportin kosovar në përgjithësi. Tani mund ta presë sfidë dukshëm më e vështirë në karrierë, jashtë Kosovës.

Ka shumë oferta për Kryeziun dhe ajo pritet që të jetë pjesë e një skuadre të madhe evropiane.

Edona Kryeziu debutoi në edicionin 2009/10 në elitën e futbollisteve, si 13-vjeçare. Dhe prej asaj kohe ka fituar vazhdimisht trofe. Çdo vit. Ndonjëherë vetëm titullin e kampionit. Në disa raste vetëm Kupën e Kosovës. Shpesh, edhe dy trofetë madhorë. Pra ka afro 25 trofe gjithsej.

Kryeziu, tani 28-vjeçare, ndihet shumë krenare. Në një intervistë dhënë KOHËS, ka treguar për sfidat me të cilat është përballur. Ka kujtuar edhe kohën kur ka debutuar në ekipin senior te Prishtina, që për trajnere kishte Afërdita Fazlijajn në atë kohë. Kryeziu thotë që gjithmonë ka qenë e dalluar në lagje e në shkollë. Talenti i vajzës së re nga Rogana e Kamenicës ishte vërejtur edhe nga ish-selektorja Fazlija.

“U aktivizova në atë ekip, erdha në Prishtinë. Trajnere të parë e kam pasur Afërdita Fazlijajn kur erdha. Na ka pritur shumë mirë, unë si 13-vjeçare isha normal shumë e re. Kisha një rrugë goxha të gjatë prej Roganës së Kamenicës për të ardhur në Prishtinë”, tregon Kryeziu, që më pas me krenari flet për ambiciet që kishte.

“Synimet e mia kanë qenë të qarta, që të vazhdojë drejt suksesit që një ditë ta përfaqësojë Kosovën, të luajë në një ekip të madh dhe besoj se këtë e kam arritur”, thotë futbollistja, që luan si sulmuese e krahut dhe në disa pozita tjera në fushë.

Kryeziu klub të parë kishte Prishtinën. Për dy sezone ka luajtur për Hajvalinë, ndërsa tash e shtatë vjet është anëtare e KFF Mitrovicës.

Me plot sukses e ka përfaqësuar edhe Kosovën. Me afro 50 ndeshje, është futbollistja e dytë me më së shumti paraqitje, prapa Kaltrina Biqkajt.

Kryeziu ka qenë edhe kapitene e Kosovës.

“Familja më ka përkrahur vazhdimisht, ndërsa unë gjithmonë kam pasur vullnet e dëshirë dhe nuk jam ndalur asnjëherë për t’u bërë edhe më e mirë”, thotë Kryeziu.  

“Pas pranimit në UEFA dhe FIFA të Kosovës janë hapur rrugët për shumë futbolliste. Normal që përfaqësimin e Kosovës, ose shtetit të tyre, secili sportist e dëshiron. Normal që dëshira ime është për të luajtur me një klub evropian. Po besoj se edhe ajo së shpejti do të arrihet. Por, normalisht se ndjenja për të luajtur për Kosovën, vetëm ata që e përjetojnë mund ta dinë se si ndihen”, thotë futbollistja që vlerësohet lartë në vend.

Ëndërr e Kryeziut është që Kosova një ditë të kualifikohet në një ngjarje të madhe, Evropian apo Botëror. Deri tani nuk e ka arritur këtë sukses. Por, Kryeziu thotë se do të punojë fortë me bashkëlojtaret për ta shijuar këtë sukses në të ardhmen.

Kryeziu tregon po ashtu se do të luaj deri sa të mund ta jap kontributin më të madh në fushë. Më pas ka plane për t’u bërë trajnere. Ka nisur me marrjen e licencave dhe uron që karrierë të suksesshme të ketë edhe si trajnere.

Kryeziu aktualisht është e angazhuar te Kosova, që po luan ndeshje kualifikuese për “Euro 2025”.

Ajo luajti gjatë tërë ndeshjes në të cilën Kosova u mposht 1:0 nga Kroacia në Podujevë, të premten. Por, shpreson që përfaqësuesja të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen në udhëtim ndaj Kroacisë, që luhet të martën.