Futboll

Pesë xhiro të zjarrta në garën për titull

Superliga e Kosovës

Te Ballkani dhe te Llapi tregohen të matur lidhur me atë se cili ekip është favorit për të dalë kampion në fund. Por më konkret në përgjigje është trajneri i futbollit, Gani Sejdiu.

Trajneri mitrovicas thotë se Llapi e Drita kanë orar më të favorshëm se lideri dhe kampioni në fuqi, Ballkani.

Xhiroja e parafundit, sipas Sejdiut, mund të jetë përcaktues për kampionin e ri të Kosovës në futboll. Në xhiron e 35-të Llapi e pret Ballkanin, kurse Drita luan derbin e qytetit ndaj Gjilanit.

Pesë xhiro para fundit, Ballkani është lider me 63 pikë. Llapi është i dyti me 61 pikë, kurse Drita zë vendin e tretë me 59 pikë.

Ndeshjet e pesë xhirove të fundit të edicionit 2023/2024 do të luhen ditëve të njëjta dhe në termin të njëjtë.

“Nëse i referohemi kësaj faze të mbetur, Llapi dhe Drita mund të themi se kanë një orar pak më të favorshëm se Ballkani. Por kjo nuk është përcaktuese, sepse mund të ketë befasi. Por përcaktuese mund të jetë xhiroja e 35-të, nëse deri atëherë ekipet nuk gabojnë. Do të jetë luftë e paparashikuar deri në fund, sidomos mes Llapit e Ballkanit, pasi luajnë takimin vendimtar mes vete. Drita është aty me një orar më të favorshëm dhe do të jetë deri në fund në garë për titull”, ka thënë Sejdiu të mërkurën për KOHËN.

Drita në fundjavën e shkuar u ndal në barazim 1:1 nga Dukagjini në Klinë, kurse Ballkani dhe Llapi nuk gabuan. Shënuan fitore me rezultat 2:0. Ballkani mposhti në udhëtim Gjilanin, kurse Llapi i fitoi pikët e plota ndaj Prishtinës në kryeqytet.

Sulmuesi i Ballkanit, Almir Kryeziu thotë se do ta japin maksimumin deri në fund të kampionatit.

“Fazën finale shpresojmë ta vazhdojmë me këtë formë të mirë si në ndeshjet e fundit. Duhet ta japim maksimumin në çdo ndeshje. E dimë edhe ne që këto ndeshjet e fundit janë shumë të rëndësishme dhe besoj që me këtë ekip, me këtë formë, do ta mbrojmë titullin kampion”, ka thënë Kryeziu.

Titullin e kërkon edhe Llapi i udhëhequr nga trajneri Tahir Batatina. Batatina ka bindjen se Llapi do të festojë në fund.

“Nëse e shohim në letër orarin, mendoj se na favorizon, pasi i presim dy rivalë të fortë si vendas. Por kemi edhe dy ndeshje të vështira me klubet që luftojnë për mbijetesë, Feronikeli 74 dhe Gjilani. Të dyja këto ekipe kërkojnë t’i ikin barazhit. Janë dy ndeshje që duhet të bëjmë maksimumin. Por fillimisht jemi duke menduar vetëm për ndeshjen kundër Feronikelit 74. Mund të them se të gjitha ndeshjet janë finale për ne. Dhe, në të gjitha këto ndeshje finale ne duhet ta japim maksimumin. Besoj se kemi skuadër të mirë, duhet ta japim më të mirën edhe pse ky është futboll dhe nuk i dihet. Ne kemi arritur të jemi në zonën që dërgon në Evropë. Kjo është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme është që në këtë vit ta japim maksimumin për të dalë në pozitën e parë”, ka theksuar Batatina.

Ndeshjet e xhiros së 32-të zhvillohen të dielën nga ora 15:00.

Ndeshjet e Ballkanit, Llapit dhe Dritës në pesë xhirot e fundit

Java – 32

Ballkani – Dukagjini

Llapi – Feronikeli 74

Drita – Fushë Kosova

Java – 33

Malisheva – Ballkani

Gjilani – Llapi

Prishtina – Drita

Java – 34

Ballkani – Fushë Kosova

Llapi – Malisheva

Drita – Feronikeli 74

Java – 35

Llapi – Ballkani

Gjilani – Drita

Java – 36

Ballkani – Prishtina

Liria – Llapi

Drita – Malisheva