Trajneri ikonik, Christian Streich, do ta drejtojë Freiburgun edhe një herë, por jo në stadiumin e skuadrës. Përshëndetja e së shtunës në stadiumin e Freiburgut ishte shumë emocionale. Asnjëri nuk mbeti pa lot në sy
11 maji i vitit 2024 do të kujtohet si datë emocionale te skuadra gjermane Freiburg. Është dita kur legjenda, i pëlqyeri i tifozërisë, figura e kultit, ia tha lamtumirën stadiumit “Europa-Park”.
Ndeshja e së shtunës ndaj Heidenheimit, që përfundoi 1:1, ishte e fundit në shtëpi për trajnerin në largim të Freiburgut, Christian Streich.
Ajo që ndodhi pas fishkëllimës së fundit i jep emocione çdo tifozi të futbollit. 58-vjeçari qëndroi në vendin e tij në stol për rreth dhjetë minuta. Me gjasë i duhej të qartësonte mendimet fillimisht. Më pas lojtarët e fusin në fushë për t’u thënë lamtumirë tifozëve.
“Faleminderit për zemrën tuaj, dashurinë tuaj dhe pasionin. Dhe që ndonjëherë keni lëshuar rrugë kur nuk ishte korrekte nga unë”.
Pasoi një xhiro e nderit, gjatë të cilës asnjë nuk mbeti pa lot në sy. Tifozët e Freiburgut e falënderuan njeriun e tyre më të mirë. Kishte duartrokitje të vazhdueshme dhe ovacione. Statusi që Streich gëzon në futbollin gjerman dëshmohet nga reagimi i tifozëve të Heidenheimit, ekipit rival. Ata qëndruan në stadium për xhiron e nderit dhe shfaqën një pano: “Lojalitet dhe sinqeritet, për fat të keq shihen rrallë. Mirëupafshim Christian”.
Kur trajneri ikonik i afrohet tunelit për hyrje në stadium, gjërat bëhen pak dramatike. Një “pushtues” i fushës dëshiron të përshëndetet me Streichin, por bllokohet nga pjesëtarët e sigurisë. Me modestinë që i ka bërë të gjithë për vete, Streich kthehet prapa, i afrohet tifozit dhe e përqafon atë. Tifozi shihet i përlotur. Streich po ashtu nuk mund të kontrollojë emocionet.
“Ishte shumë emocionale”, tha një tifoz i Freiburgut. “Nuk ka asnjë si Christiani”.
Ai i referohet të arriturave që trajneri tradicional ka arritur me skuadrën. Në fillim të stinorit pranveror në edicionin 2011/12, Streich mori skuadrën kur ajo ishte në pozitën e fundit. Por shmangu rënien e Freiburgut.
Ndonëse skuadra u desh të luaj në Bundesliga 2 në edicionin 2015/16, u promovua menjëherë në edicionin pasues. Prej atëherë Freiburgu ka luajtur në elitën gjermane.
Streich udhëhoqi skuadrën drejt Ligës së Evropës në tri raste, dy herë deri në 1/8 e finales.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar punën e tij”, ka vazhduar tifozi i Freiburgut.
58-vjeçari ka edhe një ndeshje si trajner i Freiburgut. Të shtunën, ekipi i vendit të tetë e viziton Union Berlinin. Me fitore dhe humbje të pikëve nga Hoffenheimi në të njëjtën kohë, Freiburgu kualifikohet për Ligën e Evropës. Do të ishte një mbyllje ëndrrash e periudhës së Streichit, që te Freiburgu është prej vitit të largët 1995.