Pas pushimit prej tri javësh, vazhdon faza e ligës në Ligën e Kampionëve. Të martën e të mërkurën në program janë ndeshjet e xhiros së tretë të Championsit.
Sa u takon ndeshjeve që zhvillohen të martën, fokusi do të jetë në Madrid, ku prej orës 21:00 takohen Real Madridi e Borussia Dortmundi.
Është kjo përsëritje e finales së edicionit të kaluar. Më 1 qershor në “Wembley” madrilenët kishin fituar 2:0 për trofeun e 15-të evropian.
Pas xhiros së dytë Real Madfridi është vetëm i 17-ti në tabelën e Championsit, që përbëhet nga 36 skuadra. I ka tri pikë. Borussia Dortmundi është lider me gjashtë pikë.
Në xhiron e parë Madridi fitoi 3:1 ndaj Stuttgartit, ndërsa në të dytën pësoi 1:0 nga Lille, në të cilën ndeshje më i miri u shpall Edon Zhegrova.
Skuadra gjermane në xhiron e parë fitoi 3:0 në udhëtim ndaj Club Brugge, ndërsa në xhiron e dytë shkatërroi Celticun skocez, duke e mposhtur 7:1.
Madrilenët janë në seri prej dy fitoresh në La Liga. Në fundjavë fituan 2:1 ndaj Celta Vigos, ndërsa më 5 tetor kishin fituar 2:0 ndaj Villarrealit. Madridi është i dyti në tabelën e kampionatit spanjoll me 24 pikë, tri më pak se Barcelona.
“Dortmundi do të jetë skuadër e ndryshme në krahasim me atë të edicionit të kaluar, pasi ka ndryshuar trajnerin dhe disa lojtare. Por skuadra gjermane ka ide të njëjta, punon mirë së bashku dhe ka kualitet kolektiv. Është skuadër kërkuese, pasi luajti edhe finalen e fundit ndaj nesh”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka thënë se skuadra është në fazën e tranzicionit, pasi disa lojtarë janë larguar e disa janë ende duke u përshtatur. Ai ka theksuar se ndaj Dortmundit skuadra do të tentojë të vazhdojë rritjen.
Pas fitores së thellë ndaj Celticut, Dortmundi i luajti edhe dy ndeshje në Bundesligë. Më 5 tetor u mposht 2:1 nga Union Berlini, ndërsa në fundjavë fitoi 2:1 ndaj St. Paulit.
Dortmundi është vetëm i shtati në Bundesligë. Pra dukshëm më mirë qëndron në Champions, ku paraqiten gjithë skuadrat e mëdha evropiane.
“Ndaj një ekipi si Real Madridi është e mundur vetëm nëse luajmë si kolektiv. Duam të jemi të guximshëm dhe të ndërtojmë mbi atë që kemi shfaqur në dy ndeshjet e kaluara në Champions”, ka thënë trajneri i Borussia Dortmundit, Nuri Shahin.
Paraqitja në “Santiago Bernabeu” është e veçantë për secilin lojtar. Këtë e ka pranuar edhe Julian Brandt, mesfushori i Dortmundit.
“Nuk kam luajtur në ‘Estadio Santiago Bernabeu’, kështu që kjo është diçka e re për mua. Duam të rritemi si ekip në këtë ndeshje. Jemi të përgatitur mirë, pavarësisht rezultati në qershor. Kam besim të madh te djemtë”, ka thënë Brandt.
Milan – Club Brugge dhe Monaco – Cërvena Zvezda janë ndeshjet e orës 18:45, të martën. Skuadrat vendase vlerësohen favorite të mëdha.
Prej orës 21:00, Arsenali pret fitore ndaj Shakhtar Donetskut. Girona po ashtu llogarit në tri pikë nga ndeshja me Slovan Bratislanvën.
Juventusi do të sfidohet nga Stuttgarti dhe pritet ndeshje interesante, njëjtë si në Paris ku takohen PSG-ja e PSV Eindhoveni. Sportingu është favorit ndaj Sturm Grazit në Klagenfurt të Austrisë, ndërsa Aston Villa shpreson të vazhdojë ecurinë pozitive. Aston Villa, që ka fituar dy ndeshjet e para, e pret Bolognan, që ka një pikë.
Pas tetë xhirove, tetë skuadrat e para në tabelë avancojnë në një të tetën e finales. Skuadrat prej pozitës nëntë deri në pozitën e 24-t avancojnë në raudin e plejofit. 12 skuadrat më të dobëta eliminohen në fazën e ligës. Gara do të jetë e fortë dhe interesante deri në xhiron e fundit.