Kalimi nga kampionati rumun te kampionia në fuqi e Çekisë, Sparta Praga, u vlerësua hap i madh e i rëndësishëm në karrierën e Albion Rrahmanit e Ermal Krasniqit. Por, pak gjëra po funksionojnë aktualisht për dy reprezentuesit e Kosovës, njëjtë si për gjithë skuadrën e madhe çeke.
Të martën mbrëma Rrahmani e Krasniqi startuan te Sparta Praga që u shkatërrua në shtëpinë e saj nga Atletico Madridi, 6:0. Ndeshja i takoi xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve. Sparta kishte paraqitje të zbehtë, kurse Rrahmani e Krasniqi lanë fushën pas një ore lojë. Ndryshimet, ashtu si pritej, nuk sollën ndonjë ndryshim.
Në Champions, Sparta i ka katër pikë dhe ka pak gjasa që të avancojë nga faza e ligës. Në kampionatin e Çekisë është vetëm e katërta me 27 pikë, derisa Slavia Praga tashmë i ka 41.
Edhe në aspektin individual, dy sulmuesit e Kosovës nuk janë në momentin më të mirë. Në fundjavë, Rrahmani (24) ishte vetëm në stol në barazimin 1:1 të Sparta Pragës me Teplicen në ndeshjen kampionale.
Ai së fundoi shënoi gol më 30 tetor, në ndeshje për Kupë, të cilën Sparta e fitoi 4:0. Ishte goli për 4:0 dhe madje nga penalltia. Pra, jo ndonjë gol me ndikim të madh. Në kampionatin çek shënoi më 6 tetor në humbjen 2:1 nga Slavia Praga. Tjetër gol në kampionat kishte shënuar më 31 gusht. Rrahmani ka dy gola e një asistim në tetë paraqitje kampionale.
Shifra prej 17 golave e pesë asistimeve në kampionatin e kaluar për Rapid Bukureshtin duket shumë larg.
Ermal Krasniqi (26) në fundjavë luajti nga minuta e 25-të. Në atë ndeshje u kthye nga një lëndim që e mbajti jashtë dy ndeshjeve të kaluara të Spartës. Edhe Krasniqi së fundi ka shënuar në atë ndeshje për Kupë ndaj Brnos, më 30 tetor. Në kampionatin e Çekisë ka shënuar së fundi më 27 shtator. Në 14 paraqitje kampionale i ka tri gola e një asistim.
Lojtarët e Spartës janë fishkëllyer pas humbjes 6:0, njëjtë si pas barazimit me Teplicen të shtunën. Sparta i ka fituar vetëm dy prej 12 ndeshjeve të fundit.
Ka pyetje nëse kalimi te Sparta Praga ishte i duhuri për Rrahmanin e Krasniqin, nëse ata e kanë menduar mirë dhe kanë bërë konsultimet e duhura për këtë lëvizje. Qëndrimet proserbe të tifozëve të këtij klubi janë arsye për këtë.
Edhe pas humbjes 6:0, tifozët e Sparta Pragës thirrën emrin e sulmuesit serb Velko Birmançeviq. Ai aktualisht është i lënduar dhe nga tifozët vlerësohet mungesë e madhe.
Lojtarët e Spartës kanë përshëndetur tifozët pas ndeshjes, por për pak sekonda. Dhe për këtë klubi ka kërkuar falje në faqen zyrtare.
“Klubi u kërkon falje tifozëve për falënderimin e papërfunduar pas ndeshjes me Atleticon. Sparta vlerëson mbështetjen e madhe që i dhanë tifozët gjatë 90 minutave, pavarësisht rezultatit. Faleminderit për përkrahjen e vazhdueshme në ndeshjet në shtëpi dhe ato në udhëtim”, shkruan në komunikatën e Spartës.
Presioni më i madh është mbi trajnerin Lars Friis. Por, ai nuk e mendon dorëheqjen.
“Jo, kjo nuk është pjesë e kulturës sime, nuk është mënyra se si i zgjidh problemet. Unë angazhohem 100 për qind çdo ditë. Përderisa klubi vlerëson se jam i vlefshëm, unë do të vazhdoj ta bëj këtë. Misioni im aktual është të kalojmë krizën”, ka thënë Friis, që është nga Danimarka.
Pjesë e Sparta Pragës janë edhe dy reprezentuesit e Shqipërisë, Qazim Laçi e Indrit Tuci. Laçi startoi të martën dhe luajti deri në minutën e 79-të. Tuci hyri në vend të Krasniqit. Pra, janë katër shqiptarë në klub tifozët e të cilit jo shumë kohë më parë shpalosën flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës.