Futboll

Përgjigja me pesë fjalë e Granit Xhakës pas humbjes nga Liverpooli

Granit Xhaka

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ishte goxha kritik pas ndeshjes që skuadra e tij Bayer Leverkuseni e humbi thellë nga Liverpooli, 4:0.

Liverpooli është skuadra e vetme me katër fitore nga po aq ndeshje të zhvilluara në edicionin aktual të Ligës së Kampionëve. Është lider me 12 pikë.

Liverpooli fitoi edhe ndaj Milanit, Bolognas dhe Leipzigut. Kampioni i Gjermanisë zë vendin e 11-të. Ka shtatë pikë nga katër ndeshje. Fitoi dy ndeshje, barazoi një herë dhe të martën pësoi humbjen e parë. Shumë thellë madje nga Liverpooli – 4:0.

Nëse është dikush që e di se sa e vështirë është të luash në “Anfield”, është Xhaka. Ai në edicionin 2022/2023, ku ishte pjesë e Arsenalit që sfidonte Manchester Cityn në garën për titull, humbi 2:0 nga Liverpooli.

Po të kishte fituar, Arsenali do të ishte tetë pikë përpara Cityt atëbotë. Në fund Arsenali humbi titullin.

Xhaka u përball me një tjetër humbje të rëndë të martën në “Anfield” nga Liverpooli.

Testi i radhës i Liverpoolit është Real Madridi. Në “Anfield”, Liverpooli më 27 nëntor luan kundër kampionit në fuqi të Championsit, Real Madrid, kurse Leverkuseni një ditë më herët e pret Salzburgun.

Por Xhaka nuk dëshiron të flasë për ndeshjen e ardhshme. Ai thotë se humbja me rezultat të thellë nga Liverpooli, është e turpshme për kampionin e Gjermanisë.

“Ne po pranojmë gola të lehtë dhe kjo nuk duhet të ndodhë në këtë nivel garash – dhe kjo është turp”, ka thënë Xhaka, shkruan “sport.ch”. “Nuk mund ta kontrollosh Liverpoolin për 90 minuta, ne e dimë këtë”.

Ai vlerëson paraqitjen e ekipit në pjesën e parë.

“Ne kishim më shumë posedimin e topit dhe gjetëm hapësirën ashtu siç e imagjinonim. Ne jemi në këtë nivel për të luajtur kundër më të mirëve. Dhe, ju mësoni nga më të mirët. Ne patjetër do të marrim me vete shumë gjëra nga kjo ndeshje. Edhe gjërat që nuk ishin aq të mira. Duhet të bëjmë më mirë, por jam i bindur se nëse vazhdojmë kështu, do të fitojmë ndeshje”, është shprehur Xhaka.

Xhaka vlerësohet lider i mesfushës së Leverkusenit. 32-vjeçari ka shënuar një gol dhe ka asistuar tri herë në 16 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual.

Leverkusenit iu bashkua në verën e vitit të kaluar nga Arsenali, ndërsa me klubin gjerman ka kontratë deri në verën e vitit 2028.