Futboll

Përfundon rrugëtimi i Dritës në Evropë

KF Drita - Legia

Drita e Gjilanit nuk ia ka dalë ta sigurojë për herë të parë paraqitjen në grupet e Ligës së Konferencës.

Drita e humbi edhe ndeshjen e dytë të plejofit të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli. Ekipi gjilanas u eliminua nga Legia e Varshavës, që fitoi edhe të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë para rreth shtatë mijë shikuesve.

Në Prishtinë, skuadra polake fitoi 1:0, kurse në Varshavë, javën e kaluar me rezultatin 2:0.

Drita golin e disfatës në Prishtinë e pësoi në minutën e 91-të. Golin e fitores e shënoi Tomash Pekhart.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka vlerësuar skuadrën polake.

“Mendoj se ishim përgatitur mirë për  ndeshjen. Luajtëm me shumë rrezikshmëri dhe guxim. Ndoshta me pak fat kemi mundur të shënojmë gol në pjesën e dytë. Nëse do të shënonim gol në pjesën e parë, do ta kishim më lehtë në pjesën e dytë. Por duhet të pranojmë se kishim përballë një skuadër me eksperiencë të madhe. Ne u munduam ta dërgojmë ndeshjen në vazhdime, pasi e kemi ditur se do ta kemi të vështirë t’i shënojmë tri gola Legias”, ka thënë Ramadani.

Ai është krenar me angazhimin e lojtarëve të tij në ndeshjet evropiane.

“Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve të mi në të dy ndeshjet. Ajo që më vret më së shumti janë kartonët e kuq. Gjyqtarët kanë zero respekt ndaj ekipeve tona, jo vetëm ndaj Dritës, por edhe ndaj të gjitha skuadrave të Kosovës. Drita është dëmtuar shumë nga gjyqtarët. Në përgjithësi jemi të kënaqur me atë që kemi arritur deri këtu. Duhet t’i kthehemi tani realitetit, pasi për ne tashmë ka përfunduar paraqitja evropiane. Fillon për ne kampionati i Kosovës”, ka theksuar Ramadani.

Drita për shkak të ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Konferencës nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje në kampionatin e Kosovës. Janë zhvilluar tri ndeshje kampionale deri tash. Në vikend nis java e katërt.

Tekniku shkupjan iu ka dalë në mbrojtje sulmuesve të tij.

“Nuk do të thotë gjithmonë sulmuesi të shënojë. Gola mund të shënohen edhe nga lojtarët e tjerë apo edhe nga ndërprerjet. Nuk e them mendoj, por jam i bindur se kemi dy sulmuesit më të mirë në kampionat. Ekipi duhet ta ndihmojë sulmuesin. Unë mendoj se kemi bërë lojë të mirë edhe gjatë dy raundeve të kaluara. Këtë vit kaq ishte, shpresoj vitin tjetër të bëjmë më shumë. Uroj të jemi në grup”, ka shtuar trajneri Ramadani.

Ai ka vlerësuar edhe ardhjet e reja.

“Kemi bërë mjaft ndryshime, por lojtarët që kanë ardhur janë komponuar shumë mirë. Kjo falë edhe pritjes që ua kanë bërë lojtarët që kanë qenë më herët pjesë e ekipit”, ka thënë Ramadani.

Drita e nisi furishëm ndeshjen. Rastin e parë serioz e pati qendërmbrojtësi Juan Mesa.

Rast të mirë pati edhe Veton Tusha në minutën e 27-të pas harkimit të Besnik Krasniqit. Ai gjuajti lehtë në portën e Legias.

Raddy Ovouka i Dritës e pati rastin e parë në pjesën e dytë, në minutën e 50-të. Por mbrojtësi i krahut të majtë gjuajti mbi portë.

Mesfushori Ilir Mustafa e pati mundësinë më të mirë për Dritën. 15 minuta para fundit, Mustafa nga zona gjuajti me të majtën, por topi përfundoi fare pranë shtyllës pingule. Dy minuta pas rastit të Mustafës, Drita mbeti me një lojtar më pak në fushë. Kapiteni Rron Broja u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë në minutën e 77-të.

Edhe Legia pati rastet e veta. Por mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi, thotë se Drita kishte mundësi për t’i shënuar ekipit polak.

“Është mëkat, pasi edhe në ndeshjen e parë ishim të mirë dhe nuk merituam kartonin e kuq. Edhe në ndeshjen e dytë treguam nivel të lartë, por rastet që kemi pasur është dashur t’i konkretizojmë. Futbolli është kështu. Luftuam deri në minutën e fundit. Kemi treguar ndeshje të mira, ndoshta nuk ishte fati në përballjen ndaj Legias. Kemi treguar nivelin dhe forcën se nuk jemi nën nivelin e këtij ekipi që e kishim përballë”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se paraqitjet në Evropë duhet t’i shërbejnë ekipit si motiv për ndeshjet kampionale.

“Duhet të jemi me këmbë në tokë, të harrojmë sa më shpejt këto ndeshje dhe të fokusohemi në kampionat. Ne do ta japim maksimumin dhe këtë vit besoj se titulli nuk do të na ikë nga duart”, ka thënë Krasniqi.

Më herët janë eliminuar edhe Ballkani, Llapi dhe Malisheva.