Me fitoren ndaj Ballkanit, Drita ka bërë hap gjigant drejt titullit të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll. Drita fitoi 2:0 ndaj kampionit në fuqi Ballkanit, në ndeshjen derbi të javës së 24-t të elitës së futbollit kosovar.
Ndeshja kryesore e javës në mes të Dritës dhe Ballkanit u zhvillua të martën pasdite në fushën me bari sintetik në Gjilan.
Dy golat e fitores, Drita i shënoi në pjesën e dytë. Nga minuta e 60-të, Ballkani luajti me një lojtarë më pak në fushë. Gentrit Halili u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa epërsinë numerike në fushë e shfrytëzoi Drita. 17 minuta pas përjashtimit të Halilit, Drita shënoi golin e parë.
Golin e epërsisë për gjilanasit e shënoi ish-sulmuesi i Ballkanit, Veton Tusha. Ai realizoi golin për 1:0 në minutën e 77-të, ndërsa fitoren e vulosi goli i Kastriot Selmanit. Sulmuesi Selmani shënoi golin e dytë në minutën e 90-të.
Me fitore, Drita është 13 pikë mbi Ballkanin. Drita është në vendin e parë me 53 pikë, kurse Ballkani në vendin e dytë me 40 pikë.
Drita në epërsi
(E përditësuar) - Skuadra e Dritës ka kaluar në epërsi ndaj Ballkanit.
Për 1:0 realizoi Veton Tusha në minutën e 77-të.
Kjo ndeshje i takon javës së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Përfundon pa gola pjesa e parë e derbit Drita – Ballkani
Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e derbit Drita – Ballkani.
Të dyja skuadrat kishin disa raste shënimi por nuk arritën t’i konkretizonin.
Kjo ndeshje i takon javës së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.