Arsenal – Real Madrid dhe Bayern – Inter janë çerekfinalet e para të Ligës së Kampionëve që zhvillohen të martën mbrëma prej orës 21:00.
Bëhet fjalë për katër prej skuadrave më të mëdha në Evropë, por vetëm dy prej tyre do të jenë në gjysmëfinalen e garës elitare kontinentale.
Arsenali do të mundohet ta ndalë hovin e Real Madridit, që synon titullin e 16-të të Evropës.
Në fazën e ligës, Real Madridi nuk kishte rezultatet më të mira. Kampioni në fuqi u rendit vetëm i 11-ti. Por më pas eliminoi dy rivalë shumë të mëdhenj. Fillimisht në plejof e kaloi Manchester Cityn e në një të tetën e finales edhe Atletico Madridin.
Arsenali në fazën e ligës ishte i treti. Kështu kaloi direkt në një të tetën e finales. Në këtë fazë pati punë të lehtë me PSV Eindhovenin.
Por “topçinjtë” do të sfidohen shumë seriozisht të martën mbrëma në “Emirates”. Ndeshja e kthimit është më 16 prill në “Santiago Bernabeu”.
Derisa Real Madridi është në garë për titull në La Liga, Arsenali duket se ka humbur betejën me Arsenalin për titull në Premier League.
“Ne jemi gati të fitojmë dhe t’i mposhtim madrilenët. Kjo është qasja që unë dua. Është vendi ku duam të jemi, ku Arsenali duhet të jetë vazhdimisht”, ka thënë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.
Madrilenët kanë udhëtuar me synime të mëdha për në Londër. Liga e Kampionëve vlerësohet garë për skuadrën mbretërore spanjolle. 15 trofetë janë dëshmi për këtë. Po ashtu rrugëtimi i këtij edicioni.
“Ne jemi të lumtur dhe krenarë se cilin trofe e mbrojmë, cilën fanellë e mbajmë veshur. Fanella na bën edhe më të fortë e më të mëdhenj. Të gjitha vështirësitë harrohen kur dalim në fushë, kur shohim tifozërinë dhe kur dëgjojmë himnin e Ligës së Kampionëve dhe të Real Madridit. Kjo sjell shumë emocion dhe shumë krenari”, ka thënë Federico Valverde, mesfushori i Real Madridit.
Shumë interesante pritet të jetë edhe ndeshja mes Bayernit dhe Interit.
Bayerni është lider në Bundesligë, ndërsa ka gjashtë pikë më shumë se Leverkuseni. Në Champions, fazën e ligës e përfundoi në pozitën e 12-të. Në plejof, Bayerni e kaloi me shumë mund Celticun e më pas e eliminoi më lehtë Bayer Leverkusenin.
Interi është lider në Serie A, por në garë të fortë me Napolin. Në fundjavë luajti vetëm baras, 2:2, me Parman. Fazën e ligës në Champions e përfundoi në vendin e katërt. Në plejof ishte i lirë e në një të tetën e finales e eliminoi Feyenoordin holandez.
“Mund të flasim për gjëra taktike që Interi i bën mirë. Por ka të bëjë edhe me karakterin, zemrën dhe emocionet. Ka të bëjë me të gjitha”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany. Ai përballet me mungesa të rëndësishme, por nuk ka dashur të flasë shumë për to.
“Nuk dua të ndryshoj synimet për shkak se kemi lëndime. Mendimet e mia janë vetëm për atë se çka mund të ndodhë nëse japim më të mirën. Interi është ekip që gjithnjë i ka momentet e tij. Është gjithnjë i rrezikshëm, jo vetëm në kundërsulme. Është ekip i mirë edhe në ndërtimin e aksioneve dhe në ndërprerje. Interi shënon shumë gola, pasi ka lojtarë të mirë. Por edhe ne shënojmë shumë”, ka shtuar trajneri i gjigantit bavarez.
Dy çerekfinalet e tjera janë të mërkurën prej orës 21:00. Barcelona e pret Borussia Dortmundin, ndërsa Parisi takohet me Aston Villan.