Polaku Wojciech Szczesny të martën e ka njoftuar pensionimin nga futbolli në moshën 34-vjeçare. Ditë më parë, Szczesny e ndërpreu kontratën me klubin italian, Juventus. Kishte oferta edhe nga disa klube të ndryshme nga Arabia Saudite, por ai ka vendosur që t’i japë fund karrierës futbollistike.
34-vjeçari ishte pjesë e Juventusit për shtatë vjet. Karrierë ka bërë edhe te Arsenali, Roma, Brentfordi, dhe Legia e Varshavës.
Për përfaqësuesen e Polonisë ka luajtur në 84 ndeshje.
“Megjithëse trupi im ndihet ende gati për sfida, zemra ime nuk është më aty. Ndjej se tani është koha t’i kushtoj gjithë vëmendjen familjes sime, gruas time të mrekullueshme Marina dhe dy fëmijëve tanë të bukur Liam dhe Noelia. Prandaj kam vendosur të tërhiqem nga futbolli profesionist. Fundi i një udhëtimi është një kohë për reflektim dhe mirënjohje. Ka shumë njerëz që do të më duhej t’i falënderoj, por do të përpiqem ta bëj këtë personalisht me secilin prej tyre”, ka shkruar polaku.