Futboll

Peja reagon pas dënimit të rëndë nga FBK-ja

Tifozët e Pejës

Tifozët e Pejës

Klubi i basketbollit Peja ka kërkuar barazi në shqiptimin e dënimeve nga Federata e Basketbollit të Kosovës, një ditë pasi dënua rëndë nga Komisari i Garave.

Kampionia në fuqi e Kosovës të martën u dënua me dy ndeshje si vendase pa praninë e shikuesve dhe me 5 mijë euro për shkak të incidentit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit kundër Golden Eagle Yllit.

Në reagimin e Pejës të mërkurën thuhet se është kundër dhunës dhe incidenteve, por ka kërkuar barazi në shqiptimin e dënimeve.

“Kërkojmë barazi në shqiptimin e dënimeve, kërkojmë barazi në ndarjen e drejtësisë, kërkojmë që të gjitha skuadrat basketbollistike në Kosovë të trajtohen në të njëjtën monedhë”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Pejës.

Peja është dënuar pasi “1:54 minuta pa përfunduar çereku i katërt i ndeshjes së parë me Yllin, ka pasur hedhje të gjësendeve të forta në fushë si shkrepëse e shkopinj të daulles. Në ballë me një gjësend të paidentifikuar është goditur lojtari i Yllit, Alonzo Verge Jr. Ai ka pësuar lëndime të lehta dhe gjyqtarët morën vendim për të zbrazur pjesën e tribunës prapa koshit, prej nga kishte hedhje të gjësendeve”.

Ylli e Peja takohen sonte në Suharekë nga ora 19:00. Ylli është në avantazh 1:0. Skuadra që shënon tri fitore kalon në finale.