Futboll

Pedri: Jemi pak të lodhur, por ne jemi Barça

Pedri

Foto: Associated Press

Pasi e shënoi penalltinë vendimtare për ta kualifikuar Përfaqësuesen e Spanjës në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, mesfushorin e Barcelonës, Pedri, të enjten e pret edhe një ndeshje tjetër e rëndësishme. 

Pedri me Barçën nga ora 21:00 do ta luajnë ndeshjen e mbetur të xhiros së 27-të të La Ligas ndaj Osasunas. 

Kjo ndeshje ishte paraparë të luhej më 8 mars por u shty për shkak se gjigantit katalunas pak para fillimit të takimit i vdiq doktori i ekipit të parë, Carles Minarro Garcia. 

Si për Pedrin ashtu edhe për futbollistët e tjerë të Barçës që ishin të angazhuar me përfaqësuese, ndeshja ndaj Osasunas do të jetë ngarkesë shtesë. 

Por Pedri nuk e mendon lodhjen. Ai deklaroi se duhet të luftojnë deri në fund për ta fituar La Ligan. 

“Jemi pak të lodhur, por nuk mund të harrojmë se jemi Barça. Nëse vendoset që duhet të luajmë të enjten, do ta bëjmë dhe do të japim gjithçka për të fituar La Ligën”, ka thënë Pedri, shkruan të hënën “Mundo Deportivo”. 

Barcelona pas 27 ndeshjeve të zhvilluara është lider në kampionatin spanjoll me 60 pikë. 

60 pikë i ka edhe Real Madridi që e zë vendin e dytë por e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. 
Atletico Madridi ka katër pikë më pak dhe renditet në pozitën e tretë.