Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e humbi tjetër ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe u thellua edhe më shumë në krizë me skuadrën e tij.
Juventusi fitoi 2:0 ndaj Cityt, që tani zë vendin e 22-të në tabelën e Ligës së Kampionëve, vetëm tri pozita larg eliminimit nga gara, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund.
Kampioni i Premier Leagues e ka fituar vetëm një nga dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Por tekniku spanjoll ka lavdëruar lojtarët e tij, duke thënë se ata kanë luajtur shumë mirë.
“Kemi luajtur shumë, shumë mirë”, u ka thënë Guardiola gazetarëve pas ndeshjes.
“Neve na mungoi vetëm pasimi i fundit, por disa gjëra ndodhin. Megjithatë, jam shumë krenar me lojtarët e mi. Ata dhanë gjithçka, provuan. Tani jetojmë në këtë periudhë. Shpresojmë të ndryshojmë e të marrim rezultatet që ne duam”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Liga e Kampionëve është shumë e vështirë.
City dy ndeshjet e fundit i luan ndaj Paris Saint-Germainit dhe Club Brugget.
Të dielën City luan ndaj rivalit lokal, Manchester Unitedit.