Mbrojtësi Benjamin Pavard ishte hero i Interit në duelin ndaj Bayern Munichut pasi e shënoi golin për 2:1 në të mirë të skuadrës së tij, në çerekfinalen kthyese ndaj klubit bavarez. Ndeshja u mbyll 2:2, ndërsa Interi e festoi avancimin në gjysmëfinale.
Pas golit të shënuar, gëzimi i Pavardit ndaj ish-skuadrës ishte shumë i madh. Ai është kritikuar shumë në rrjetet sociale.
“Bayern Munichu e bëri të mundur të jem lojtari që jam sot. Festa ime në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ishte si gëzimi i një fëmije. Nuk kishte të bënte asnjëherë për mosrespektimin e tifozëve të Bayernit”, ka shkruar Pavard në llogarinë e tij në Instagram.
Pavardi ishte i fundit te Bayerni që e mbajti veshur fanellën me numrin pesë, që dikur e mbante legjenda e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer.
Pavardi e fitoi “tripletën” me Bayernin në vitin 2020.
Ai ishte fitues i katër Bundesligave dhe një Kupe të Gjermanisë.