Tifozët e Liverpoolit të premten morën një lajm të mirë që e kanë pritur gjatë. “Të kuqtë” e kanë vazhduar për dy vjet kontratën me yllin, Mohamed Salah.
Tjetër lajm të mirë tifozët e zjarrtë të Liverpoolit presin të dielën pasdite. Liverpooli e pret West Ham Unitedin nga ora 15:00, në kuadër të xhiros së 32-të të Premier Leagues. Liverpooli i synon tri pikë të reja për t’iu afruar edhe më shumë titullit të kampionit.
Liverpooli është lider me 73 pikë, plot 11 më shumë se Arsenali. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe shtatë xhiro.
Liverpooli së shpejti pritet të vazhdojë kontratën edhe me Virgil van Dijk, derisa Trent Alexander-Arnold munbd të transferohet te Real Madridi. Trajneri Arne Slot ka thënë se është shumë e rëndësishme që të dihet edhe e ardhmja e dy futbollistëve tjerë të rëndësishëm.
West Hami është në vendin e 16-të me 35 pikë.
Arsenali aktualisht e ka fokusin në Ligën e Kampionëve. Çerekfinalen e parë me Real Madridin e fitoi 3:0, ndërsa ndeshja e kthimit është në “Santiago Bernabeu” të mërkurën e ardhshme. Në Premier League, Arsenali luan të shtunën nga ora 18:30 ndaj Brentfordit. “Topçinjtë” synojnë të vazhdojnë momentin e mirë.
Nga Premier League në Champions në edicionin e ardhshëm do të jenë të paktën pesë skuadra. Lufta për pozitën e katërt e të pestë mbetet e hapur. Nottinghami është i treti me 57 pikë, ndërsa nga 53 i kanë Chelsea e Newcastle Unitedi. Në vendin e gjashtë është kampioni në fuqi, Manchester City, me 52 pikë ndërsa në të shtatin është Aston Villa me 51. Larg nuk janë as Fulhami me 48 pikë dhe Brightoni me 47.
Manchester City e pret Crystal Palacen, të shtunën nga ora 13:30, në ndeshjen e parë të xhiros. Skuadra e Pep Guardiolas kërkon fitoren për të bërë hap të madh drejt sigurimit të zonës Champions.
Ndeshje me rivalitet pritet të jetë ajo mes Newcastle Unitedit dhe Manchester Unitedit, që zhvillohet të dielën nga ora 17:30. Manchester Unitedi është vetëm i 13-ti me 38 pikë. Skuadra me nam vazhdon të ketë telashe të mëdha këtë edicion.