Formati i ri i Ligës së Kampionëve nënkupton që ndeshje do të ketë edhe të enjten. Me formatin me fazë të grupeve, ndeshjet e Championsit zhvilloheshin të martën e të mërkurën. Me fazën e ligës, që zëvendëson atë grupore, gjashtë ndeshje do të jenë edhe të enjten.
Në kuadër të xhiros së parë, të enjten, prej orës 21:00, luan Barcelona. Barça është mysafire e Monacos.
Skuadra katalonjase ka nisur furishëm në La Liga. Ka fituar pesë ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 15 pikë, katër më shumë se Real Madridi, Atletico Madridi dhe Villarreali.
Barça, që tani drejtohet nga gjermani Hansi Flick, po vlerësohet lart për futbollin që e shfaq. Dhe tani do ta ketë testin e parë në Champions, ku nuk ka pasur rezultate të mira në vitet e fundit.
“Nuk brengosem për të kaluarën. Duhet të fokusohemi në të tashmen. Ekipi ka shënuar shumë fitore në La Liga dhe kemi besim. Duhet të jemi agresivë dhe të fokusuar. Kjo na duhet në një garë si Liga e Kampionëve. Pesë fitoret i takojnë së kaluarës dhe tani duhet të dëshmohemi në Champions”, ka thënë Flick në konferencë për shtyp, të mërkurën.
Sipas tij, një klub si Barcelona gjithnjë synon titullin në Champions.
“Liga e Kampionëve është gara më e mirë në botë. Duhet të jemi të gatshëm të luajmë ndaj ekipeve më të mira. Por nëse nuk je i fokusuar 100 për qind, nuk ke vend në këtë garë”, ka shtuar Flick.
Monaco ka tri fitore e një barazim në fillim të kampionatit në Francë. Në xhiron e fundit fitoi 3:0. Monaco kthehet në Champions, ndërsa te kjo skuadër shpresojnë të befasojnë Barcelonën.
“Nuk ka asgjë më të mirë se kur dëgjon himnin e Ligës së Kampionëve. Mendoj se lojtarët janë gati. I kam përgatitur mendërisht. Nuk është lehtë të mbrohemi ndaj Barcelonës. Duhet ta bëjmë këtë si ekip. Ekipi ynë duhet të jetë shumë i guximshëm dhe të jap çdo gjë. Nuk është vetëm Lamine Yamal për të cilin duhet të kujdesemi. Janë edhe shumë të tjerë”, ka thënë trajneri i Monacos, Adi Hutter.
Prej orës 18:45, të enjten është ndeshja interesante mes Feyenoordit dhe Bayer Leverkusenit. Granit Xhaka do ta udhëheqë kampionin gjerman në tentimin për të fituar tri pikët e para. Por skuadra holandeze llogarit në mbështetjen e tifozëve dhe synon po ashtu pikët e plota.
Atalanta – Arsenal dhe Atletico Madrid – RB Leipzig janë dy ndeshje të tjera interesante që zhvillohen prej orës 21:00.