Futboll

Pas rënies së madhe, ish-reprezentuesi i Zvicrës, Ajeti, i gëzohet golit të rrallë

Albian Ajeti

Albian Ajeti ishte shpresë e madhe e futbollit në Zvicër. Kaloi të gjitha grupmoshat e Zvicrës dhe prej vitit 2018 deri në vitin 2020 i luajti 11 ndeshje dhe realizoi një gol për përfaqësuesen A. Sulmuesi, tani 27-vjeçar, ishte larguar herët nga Baseli për tek Augsburgu.  Nuk u stabilizua në ekipin gjerman dhe më pas luajti huazim te St. Galleni në Zvicër. U kthye te Baseli në vitin 2017 dhe luajti me shumë sukses deri në vitin 2019. 

Sërish vendosi të luajë jashtë Zvicrës. Ishte te West Ham Unitedi në Angli, Celticu në Skoci, Sturm Grazi në Austri dhe Gaziantepi në Turqi. Dhe prej muajit shkurt sërish është te Baseli. Përvojat jashtë Zvicrës nuk i kanë shkuar ashtu si pritej. Dhe lojtari i lindur në Basel vendosi të kthehej në klubin e fëmijërisë, ku ka pasur vazhdimisht suksese.

Të martën shënoi gol në fitoren 2:0 të Baselit ndaj Lausanne Ouchy. Realizoi pak pas aktivizimit në pjesën e dytë. Me fitore Baseli edhe matematikisht siguroi qëndrimin në Superligë, ndërsa me humbje Lausanne Ouchy humbi gjasat për mbetje në elitë.

VIDEO:

Për Ajetin ishte me shumë rëndësi të shënonte gol. Ai nuk kishte gol të shënuar që nga 22 shtatori i vitit të kaluar, kur gjeti rrugën drejt rrjetës sa ishte te Gaziantepi turk. Prej atëherë ka luajtur fare pak.
Prejse është kthyer te Baseli, Ajeti ka kaluar vetëm 92 minuta në fushë. 

“E kam ditur se nëse kam rast për të shënuar, do ta shfrytëzoj atë. Mbi të gjitha, isha shumë i lumtur që isha në gjendje të luaja sërish”, ka thënë Ajeti pas ndeshjes.

Kur iu bashkua Baselit, Ajeti nuk ishte në nivelin e duhur fizik. Më pas pësoi lëndim në fund të shkurtit dhe mbeti jashtë deri tani.

“Nuk ishte e lehtë në kokë. Kam dashur të kthehem dhe të ndihmoj menjëherë. Dhe më pas është dashur vetëm të shikoj nga anash për dy muaj dhe kjo ishte e vështirë”, ka shtuar sulmuesi.
Te Baseli janë shprehur të lumtur për golin e Ajetit.

“Jam shumë i lumtur për të. Ai shfaqi kualitetet që ka”, theksoi trajneri Fabio  Celestini. Ai vlerëson se Ajeti mund të përparojë ende. Ka thënë se lëndimi i ka shtyrë shumë gjëra.

Ajeti ka plot 44 gola në 100 paraqitje për Baselin. Herën e kaluar, para së martës, kishte shënuar për skuadrën e njohur zvicerane në korrik të vitit 2019.

“Shumë gjëra kanë ndodhur në pesë vjetët e fundit. Por për mua kjo nuk ka rëndësi.  Kam dashur të kthehem në Baselin tim. Pavarësisht nëse gjërat shkojnë mirë apo keq. Natyrisht, shpresoj që gjërat do të përmirësohen sërish në të ardhmen”.

Te Baseli janë edhe Taulant Xhaka, Leon Avdullahu, Benjamin Kololli e Dion Kacuri. Xhaka bëri  bujë, jo për ndonjë gjë të mirë, kur pas fundit të pjesës së parë vrapoi thuajse gjysmën e fushës për në tunelin që dërgon në zhveshtore, për t’u konfrontuar me portierin e Lausanne Ouchy, që me një duartrokitje ironike provokoi tifozët vendas. Pas Xhakës vrapuan thuajse të gjithë lojtarët e Baselit.