Futboll

Pas KOK-ut, FFK-së i reagon edhe KAS-i

kas

Pas Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, me reagim të enjten ka dalë edhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (KAS). KAS-i, që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës, i ka cilësuar paragjykuese, tendencioze dhe dashakeqe sulmet e FFK-së.

Në reagim thuhet se kryetari i KAS-it nuk ka ndikuar në vendimin që ka marrë në favor të klubit të futbollit Prishtina.

Prishtina nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave evropiane. Prishtina nuk e kishte pranuar këtë vendim dhe i ishte drejtuar KAS-it. Dhe ky organ të martën ka vendosur se ankesa e Prishtinës kundër FFK-së ishte e bazuar. KAS-i ka vendosur të anulohet vendimi i 26 majit të vitit 2023, që nuk e licenconte Prishtinën.

FFK-ja akuzoi kryetarin e KAS-it, Eroll Salihun për ndërhyrje, ndërsa vlerësoi se vendimi cenon parimet e drejtësisë sportive dhe dëmton zhvillimin e futbollit. Salihu për shumë vjet ka qenë sekretar i FFK-së. FFK-ja ka paralajmëruar padi dhe kallëzim penal ndaj Këshillit për Arbitrazh Sportiv (KAS) dhe do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) me seli në Lozanë për vendimin që ka marrë në favor të Prishtinës.

“KAS, deklarimet e tilla të pavërteta i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të punës së suksesshme të këtij institucioni, duke vlerësuar se sulmet e tilla, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të KAS-it. Nisur nga fakti se nuk është hera e parë që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga FFK-ja, KAS i bën thirrje FFK-së dhe të gjithë personave të tjerë që kanë synim pengimin e këtij institucioni në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta dhe tendencioze”, shkruan në reagimin e KAS-it.

KAS-i ka insistuar se është institucion kredibil dhe kompetent për të vendosur drejtësinë sportive. KAS pret që vendimi i tij të zbatohet nga FFK-ja.

“Këshilli i Arbitrazhit Sportiv bën apel për zbatimin e vendimeve të tij nga të gjitha palët e përfshira në procesin sportiv. Zbatimi i këtyre vendimeve është thelbësor për ruajtjen e integritetit të sistemit sportiv dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë.

Për më tepër, KAS siguron opinionin publik, se sulmet e tilla, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë në punën, profesionalizmin dhe funksionimin e tij. KAS si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet, do të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi për të mbrojtur interesin e sportit dhe të sportistëve”, shkruan në reagimin e KAS-it.

Prishtina, si fituese e Kupës së Kosovës, nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave të UEFA-s. Ai vendim ia mohojë Prishtinës paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës, që do të sjellë qindra mijëra euro për klubin. Tani pas vendimit të KAS-it, Prishtina pritet t’i kërkojë deri 3.6 milionë euro kompensim nga FFK-ja.