Futboll

Pas dy humbjeve rresht, Shqipëria shpreson të kthehet te suksesi

Kombëtarja e Shqipërisë

Shqipëria e nisi me sukses edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Fitoi 2:1 ndaj Ukrainës në Pragë, më 7 shtator. Por më pas pësoi dy humbje rresht. Humbi 1:0 në Tiranë nga Gjeorgjia më 10 shtator dhe 2:0 nga Çekia në Pragë, të premten e kaluar. Sidomos ndaj Çekisë, Shqipëria shfaqi fare pak dhe paraqitja u vlerësua dëshpëruese.

Mision të vështirë Shqipëria do të ketë edhe të hënën mbrëma. Nga ora 18:00 në Tbilisi luan ndaj Gjeorgjisë, që bashkë me Çekinë kanë nga gjashtë pikë pas tri xhirove të zhvilluara në Grupin B1 të Ligës së Kombeve.

Të premten në kuadër të këtij grupi u zhvillua edhe ndeshja Ukraina – Gjeorgjia, në Poznan të Polonisë. Ukrainasit fituan 1:0 për pikët e para në grup.

Kështu Grupi B1 mbetet plotësisht i hapur dhe secila përfaqësuese ka gjasat për të avancuar në Ligën A.

Shumë do të varet nga ndeshjet e së hënës. Nga ora 20:45 në Wroclaw është ndeshja Ukrainë – Çeki.

Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, u paraqit në konferencë për shtyp të dielën. Braziliani e di mirë se pikët e humbura në ndeshjen e së hënës mund të kushtojnë shtrenjtë.

Ai ka kërkuar nga lojtarët përqendrim maksimal në mënyrë që kjo kampanjë e Ligës së Kombeve të kthehet në rrugën e duhur.

“Kemi shpenzuar shumë energji në ndeshjen e kaluar. Çekia është një skuadër shumë fizike, bën edhe transicion. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, njësoj si do të jetë ajo ndaj Gjeorgjisë. Në grupin ku ne bëjmë pjesë mund të ndodhë çdo gjë. Nuk e dimë ende për formacionin, kemi bërë një udhëtim të gjatë nga Praga, kemi ardhur vonë në hotel, do ta kuptojmë nesër. Kemi stërvitjen, do të flasim me lojtarët dhe kemi një ditë kohë që të vendosim. Ne kemi lojtarë që mund të hyjnë në fushë dhe u besojmë 100 për qind, por zgjedhjen do ta bëjmë nesër”, ka deklaruar Sylvinho.

Te Gjeorgjia do të ketë mungesa për duelin ndaj Shqipërisë. Njëri prej tyre është Giorgi Kochorashvili, mesfushori i Levantes në La Liga 2.

“Nesër duhet të marrim pikë duke qenë se përndryshe bëhet e vështirë për ta arritur objektivin. Ne duhet të jetojmë me këtë realitet. E dimë që nëse marrim një rezultat negativ nesër, nuk na shërben për të arritur objektivin që kemi. Ne na shërben nesër vetëm fitorja dhe tri pikët. Kemi një avantazh të vogël, duke qenë se në nëntor i luajmë të dyja ndeshjet e fundit të edicionit në shtëpi. Por është shumë e rëndësishme që ne të japim gjithçka nga vetja nesër dhe të marrim rezultat pozitiv. Gjeorgjia është shumë shumë e fortë, por edhe ne jemi një ekip i fortë”, është shprehur tekniku brazilian, që siguroi Evropianin në Gjermani me Shqipërinë.

Se Shqipërisë i duhet patjetër fitorja e ka konfirmuar edhe qendërmbrojtësi Ardian Ismajli.

Ai ka theksuar se grupi është i bashkuar dhe kanë besimin e plotë se nga stadiumi “Mikheil Meskhi” do të dalin fitimtarë.

“Po, e vërtetë, kemi dy humbje në dy ndeshjet e fundit. Besoj që në ndeshjen e parë me Gjeorgjinë nuk e kemi merituar humbjen. Megjithatë, tashmë është e kaluar. Duhet të shikojmë përpara. Vetëm fitorja na bën punë. Kemi ardhur për tri pikë, shpresojmë që t’ia dalim. Vetëm trepikëshi na mban në garë për vendin e parë”, ka thënë qendërmbrojtësi Ismajli që aktivizohet tek Empoli në Serie A të Italisë.

Tek Empoli bashkë me Ismajlin luan edhe qendërmbrojtësi gjeorgjian, Saba Goglichidze.

Ismajli e ka vlerësuar atë si qendërmbrojtës të fuqishëm e shumë kualitativ. Ndërkohë e ka përmendur edhe Khvicha Kvaratskhelian, që është yll i Përfaqësueses gjeorgjiane.

“Të gjithë e njohim Kvaratskhelian për kualitetin dhe aftësitë që ka. Por ashtu si në ndeshjen e parë që ia kemi dalë ta ndalojmë, besoj që do t’ia ndalim edhe nesër, sepse grupi e bën rezultatin dhe ndeshjen. Dhe sidomos ne mbrojtja për ndalimin e aksioneve të kundërshtarëve”, ka deklaruar Ismajli.

Se Gjeorgjia do të jetë kundërshtare e vështirë për Shqipërinë e tregon edhe fakti se gjeorgjianët para tifozëve të tyre nuk kanë humbur që prej nëntorit të vitit 2021.

Ndërkohë Shqipëria në gjashtë vizitat e fundit në Gjeorgji e ka shënuar vetëm një gol.

Dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, Shqipëria i luan ndaj Çekisë dhe Ukrainës. Që të dyja ballafaqimet e muajit nëntor “kuqezinjtë” i zhvillojnë në Tiranë.