Parma ka shënuar fitore befasuese ndaj Milanit 2:1 të shtunën mbrëma në stadiumin “Ennio Tardini”, në kuadër të xhiros së dytë të Serie A.
Trajneri i ri i “rossonerëve”, Paulo Fonseca, ende duhet të presë për trepikëshin e parë në ndeshje zyrtare.
Parma e hapi serinë e golave që në minutën e dytë kur shënoi Dennis Man.
Ai realizoi pas 83 sekondave lojë, me prekjen e tij të parë me topin.
Christian Pulisic i barazoi shifrat për Milanin në minutën e 66-të pasi e shfrytëzoi më së miri asistimin e Rafael Leaos.
Por ishte zëvendësuesi Matteo Cancellieri, që e ktheu epërsinë e Parmas 11-të minuta më vonë.
Me golin e tij, Parma i fitoi pikët e plota në këtë ballafaqim.
Milani e ka vetëm një pikë nga dy ndeshje.
Barazoi 2:2 në ndeshjen e parë me Torinon.