Futboll

Parisi e fiton derbin ndaj Lillet

PSG

Foto: Associated Press

Paris Saint-Germaini e ka fituar derbin e xhiros së 24-t të Ligue 1. Parisi të shtunën mbrëma e mposhti Lillen me rezultatin e thellë 4:1.

Skuadra e drejtuar nga trajneri, Luis Enrique, Parisi nuk di për humbje këtë edicion në kampionatin francez. Është lider me 62 pikë.

Të katër golat vendësit i realizuan në pjesën e parë.

Bradley Barcola shënoi për 1:0 në minutën e gjashtë. Për 2:0 shënoi qendërmbrojtësi brazilian, Marquinhos, në minutën e 22-të.

Gjashtë minuta më pas, sulmuesi francez, Ousmane Dembele, e shënoi golin e tretë. Për 27-vjeçarin Dembele ky ishte goli i 26-të këtë edicion në të gjitha garat. Është duke kaluar formë shumë të mirë. Krahas 26 golave ka edhe gjashtë asistime.

Desire Doue ishte realizatori i golit të katërt në minutën e 37-të.

Golin e vetëm për mysafirët e shënoi Jonathan David në minutën e 80-të.

Te Lille mungoi sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, për shkak të një lëndimi.

Lille ka 41 pikë dhe renditet në pozitën e pestë.