Futboll

Paraqitja e Rrahmanit në një pozitë të pazakontë në fushë

Albion Rrahmani

Mbrëmjen e së mërkurës Albion Rrahmani ishte titullar te Sparta Praga që humbi në shtëpi 2:1 nga Bresti francez. Sulmuesi i Kosovës u paraqit në një pozitë të pazakontë, në krahun e majtë. Trajneri Lars Fiiss përdori nigerianin Victor Olatunjo në qendër të sulmit. Trajneri danez arsyetoi vendimin, ndërsa Rrahmani tha se nuk kishte luajtur kurrë në pozitën në të cilën u paraqit kundër Brestit në Ligën e Kampionëve. 

“Ne nuk i kishim 11 më të mirët që donim. Kishim shtatë ose tetë lojtarë të lënduar. Nuk është e lehtë në një nivel të tillë, në Ligën e Kampionëve. Nuk është një justifikim, nuk dua të ankohem, por kjo është situata”, ka thënë Friis për faqen e klubit.

Më i drejtpërdrejtë ishte sulmuesi i Kosovës. Ai tha se kurrë në karrierën e tij nuk ka luajtur në pozitën në të cilën u paraqit ndaj skuadrës franceze.

“Unë do të përpiqem të jap maksimumin, pavarësisht pozicionit në të cilin më aktivizon trajneri. Ishte e vështirë për mua, sepse nuk kam luajtur kurrë në atë  pozicion. Por kur thotë trajneri, duhet të paraqitem”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani thekson se u mundua ta japë më të mirën e tij për klubin në ndeshjen kundër Brestit.

“Më pëlqeu bashkëpunimi me Victor Olatunjin, u përpoqëm të merrnim topa të gjatë dhe të veçoheshim. Ishim shumë aktivë, por Bresti është një ekip cilësor dhe shumë i vështirë për ne. Luftuam, por në ndeshjen e radhës duhet të tregojmë më shumë cilësi në sulm”, është shprehur Rrahmani.

Sparta Praga e bleu Rrahmanin për 5 milionë euro në verë. Ishte repord për Sparta Pragën e Çekisë. Deri më tani ka shënuar katër gola në 13 ndeshje. Sulmuesi i Kosovës ka luajtur në të gjitha katër ndeshjet e deritashme për Sparta Pragën në Ligën e Kampionëve. Çekët kanë fituar katër pikë deri tash.

Në Ligën e Kampionëve, Sparta Praga do të përballet edhe me Atletico Madridin, Feyenoordin, Interin dhe Bayer Leverkusenin.

Në kampionat skuadra e Rrahmanit dhe e tre futbollistëve të tjerë shqiptarë, Ermal Krasniqi, Indrit Tuci dhe Qazim Laçi, Sparta Praga ka katër humbje, tetë fitore e një barazim. Zë vendin e tretë me 25 pikë nga 13 ndeshje. Slavia Praga është në vendin e parë me 35 pikë.