Futboll

Palmer dëshiroi të largohej nga City “për dy vjet”

Cole Palmer & Pep Guardiola

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se Cole Palmer e ka kërkuar largimin nga klubi për dy vjet, para se t’i bashkohej Chelseat.

City në muajin shtator të vitit të kaluar e shiti Palmerin 21-vjeçar te Chelsea për 47 milionë euro, në ditën e fundit të afatit kalimtar.

Palmer dhe Haaland aktualisht janë golashënuesit më të mirë në ligë me nga 20 gola.

“Gjatë përgatitjeve parasezonale i thashë atij të qëndrojë sepse Riyad Mahrezi nuk është, por ai tha ‘jo, dua të largohem’”, ka thënë Guardiola të premten, shkruan BBC.

“Pas dy sezonesh, çfarë mund të them?”, ka shtuar ai.

Palmer ka shënuar katër gola kundër Evertonit më 15 prill, ndërsa të shtunën do të luajë kundër ish-skuadrës në gjysmëfinale të Kupës FA.

Ai është në garë për ta fituar epitetin e lojtarit më të mirë të Premier Leagues dhe pritet të jetë në skuadrën e përzgjedhësit të Anglisë, Gareth Southgate, për Evropianin 2024.

Paraqitjet e tij kanë ngritur dyshime në zgjuarsinë e Guardiolas që e ka lënë atë të lirë.

Trajneri i Cityt ka thënë se realiteti i situatës e ka bërë të pamundur mbajtjen e tij në skuadër.

“Ai kërkoi të largohej për dy sezone”, ka thënë Guardiola. “Unë i thash ‘jo, qëndro’. Çfarë mund të bëjmë?”.

Palmer nënshkroi kontratë pesëvjeçare për Cityn në vitin 2021.

Në atë periudhë, ai kishte dy paraqitje për ekipin senior.

Ai pati vetëm tri ndeshje si titullar në Premier League dhe u largua, ndërsa Guardiola e pranon se ndoshta nuk ka qenë e mjaftueshme.

“E kam thënë disa herë, nuk i kam dhënë atij minutat që ai mendon se i ka merituar dhe dëshiruar, minutat të cilat i ka tani te Chelsea. E kuptoj plotësisht. Jam i lumtur për të sepse është shumë i dashur. Ai po luan mirë dhe është rrezik i jashtëzakonshëm”.

Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino, e ka falënderuar Cityn që i lejoi Palmerit “mundësinë për të kaluar te një klub tjetër” dhe se sulmuesi po ashtu i është mirënjohës ish-skuadrës.

“Ai gjithmonë flet mirë për ata dhe Pepin”, ka thënë Pochettino.

“Mendoj se ai e ka kuptuar në mënyrë të përkryer se ndoshta për arsye të ndryshme, ka dashur të sfidohet te ndonjë klub tjetër”.

Pochettino ka nënvizuar se duhet të jetë “i kujdesshëm” me Palmerin për rritjen e madhe këtë edicion.

“Për shkak se po shënon, ndoshta ai ka nevojë të jetë i vëmendshëm në gjëra të ndryshme, në gjëra të cilat ndoshta nuk u ka kushtuar vëmendje më parë”, ka thënë argjentinasi.

“Kjo do të ketë ndikim në atë se si do të përgatitet, si do të pushojë, si do të fle, si do ta shpenzojë energjinë që më parë nuk e ka shpenzuar. Për këtë duhet të jemi të kujdesshëm. E kemi eksperiencën për ta menaxhuar këtë gjë kur një djalosh i ri bëhet yll i madh. Ndoshta është i lodhur, po sepse jeta e tij ka ndryshuar. Ai duhet të mësojë nga eksperienca”.