Futboll

Pajaziti, lojtari i muajit në Premier League 2

Adrion Pajaziti

Mesfushori i Fulhamit, Adrion Pajaziti, e ka marrë epitetin e lojtarit më të mirë të Premier Leagues 2 për muajin mars duke u bërë futbollisti i dytë i kësaj skuadre që fiton këtë çmim.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua. Është rezultat i punës së madhe që kam bërë dhe paraqitjeve të mira që kam pasur në kohët e fundit”, ka thënë Pajaziti për faqen zyrtare të klubit.

“Jam shumë i lumtur me rikthimin tim dhe më gëzon fakti që i kemi fituar tri nga po aq ndeshje të luajtura. Ekipi ka luajtur mirë muajin e fundit, ka shënuar shumë gola dhe jam krenar që jam përfshirë në shumë gola të cilat i kemi realizuar”, ka theksuar 21-vjeçari që ka përfaqësuar U19 dhe U20 të Shqipërisë fillimisht, e më pas U21 të Kosovës. Tani është pjesë e Shqipërisë së kësaj grupmoshe.

Pajaziti ka kontribuuar në 10-të nga 15-të golat e shënuar nga Fulhami në muajin mars.

Ai ka realizuar pesë herë dhe ka regjistruar po aq asistime në tri ndeshjet e Premier Leagues 2 në këtë muaj.

Këtu përfshihen edhe “hat-tricku” dhe dy asistimet në duelin kundër Readingut.

Forma e mirë e Pajazitit vazhdoi me një tjetër gol e dy asistime kundër West Ham Unitedit, ndërsa një gol e një asistim e pati kundër Leeds Unitedit.

Forma e tij e mirë ka bërë që Fulhami të jetë në vendin e tretë me 35 pikë nga 18 ndeshje. Lider është Tottenhami me 39 pikë nga 16 ndeshje të luajtura.

Pajaziti ishte i pari në mesin e tetë lojtarëve të përzgjedhur nga paneli i Zhvillimit të Futbollit të Premier Leagues.

Lojtari më i mirë i muajit mars në Premier League ka qenë Rodrigo Muniz.

Edhe Muniz është anëtar i skuadrës së Fulhamit.

Ai në muajin mars realizoi katër gola dhe dhuroi një asistim.