Futboll

Pajaziti ia siguron Shqipërisë U21 pikët e plota ndaj Zvicrës

Adrion Pajaziti

Futbollisti i të rinjve të Fulhamit, Adrion Pajaziti, ka shënuar dy gola për fitoren e madhe të Shqipërisë U21 në udhëtim te Zvicra e kësaj grupmoshe. 

Të premten në mbrëmje, në ndeshjen që u zhvillua në Lozanë e që i takoi kualifikimeve për “Euro 2025”, “kuqezinjtë” fituan 2:1, me rikthim të rezultatit. 

Sulmuesi i Gentit, Franck Surdez, i kaloi helvetikët në epërsi 1:0 me golin e minutës së 16-të. 

Por vetëm dy minuta më pas, Pajaziti i barazoi shifrat në 1:1. Pajaziti u shmang mirë në zonë dhe me gjuajtje të fuqishme realizoi në portën e kundërshtarëve. 

Pajaziti edhe në minutën e 69-të bëri veprim të mirë individual dhe shënoi me gjuajtje të fuqishme nga distanca për rezultatin 2:1, që ishte përfundimtar. 

Pajaziti në të kaluarën ka luajtur për Kosovën U21 në tri ndeshje, ndërsa më pas vendosi ta përfaqësojë Shqipërinë. 

“Shpresat e Shqipërisë” të drejtuar nga Alban Bushi tani kanë 13 pikë nga nëntë ndeshje, dhe zënë vendin e katërt. 13 pikë ka edhe Finlanda në shtatë ndeshje. 

Rumania e para me 16 pikë dhe Zvicra e dyta me 14 pikë, që të dyja në shtatë ndeshje të luajtura, i prijnë Grupit E kualifikues.

Shqipëria U21 më 15 tetor luan në shtëpi ndaj Armenisë.