Tifo-grupi zyrtar i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Tifozat Kuqe e Zi u lan pa bileta nga ana e Federatës Shqiptare të futbollit për dy ndeshjet e këtij muaji.
Tifo-grupi, Tifozat Kuq e Zi njoftuan të hënën se arsyeja se pse FSHF-ja nuk ka ndarë bileta është sepse këta të fundit ishin ndër të parët që reaguan pasi UEFA e zyrtarizoi vendimin që Evropiani U21 i vitit 2027 të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.
Federata Shqiptare të futbollit të martën doli me një sqarim se pse nuk iu ndan biletat tifozëve Kuq e Zi.
FSHF-ja njoftoi se të gjitha biletat do të shiten online dhe çdo person do të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta.
Ky vendim është marrë nga FSHF-ja për arsye që të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë.
Ndërsa në njoftimin e FSHF-së u tha se ky vendim që është marrë nuk ka të bëjë me përjashtimin e ndonjë grupi tifozësh.
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë publikun mbi sistemin e ri të shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares, një vendim që synon të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë. Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online. Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.
Shqipëria më 21 mars luan në udhëtim ndaj Anglisë, kurse e pret Andorrën më 24 mars.