Futboll

Nigeria bojkoton ndeshjen me Libinë, përfaqësuesja mbeti e bllokuar në aeroport

Nigeria

Një skandal ndodhi para ndeshjes kualifikuese për Kupën e Afrikës në mes të Libisë dhe Nigerisë.
Ashtu siç kanë treguar shumë lojtarë të Nigerisë përmes rrjeteve sociale, përfaqësuesja nigeriane është dashur të pres gjithë natën në aeroportin La Abraq, në afërsi të qytetit libian Al Baida.

“Isha në aeroport për 13 orë, pa ushqim, pa WiFi, pa vend për të fjetur”, ka shkruar sulmuesi i Bayer Leverkusenit, Victor Boniface në “X”, të hënën në mëngjes.

Përfaqësuesja e Nigerisë është dashur të zbarkojë në Bengazi, jo shumë larg Beninës, ku duhet të zhvillohet ndeshja, të martën prej orës 21:00. Por sipas informacioneve nga Libia dhe Nigeria, avioni i ekipit nigerian u devijua në minutën e fundit drejt aeroportit La Abraq, rreth 240 kilometra tutje. Sipas raporteve të mediave në Libi, qeveria urdhëroi që fluturimi të ridrejtohej dhe urdhëroi që ekipi nigerian të dërgohej në Bengazi me autobus.

“Mbyllën dyert e aeroportit dhe na lanë atje pa telefona celularë, pa ushqim apo pije”, është ankuar kapiteni i Nigerisë, William Troos-Ekong përmes rrjeteve sociale.

Piloti tunizian i avionit është lejuar të flejë në aeroplan, kurse ekuipazhi u mbyll në ndërtesën e aeroportit. 

Troost-Ekong foli për sjellje skandaloze dhe akuzoi autoritetet libiane për “lojëra psikologjike”.
Për shkak të situatës së sigurisë në Libi, te përfaqësuesja e Nigerisë nuk duan të udhëtojnë me autobus nëpër pjesën veriore të shtetit. Nga përfaqësuesja kontaktuan qeverinë nigeriane dhe vendosën të mos e luajnë ndeshjen të martën.

“Si ekip kemi vendosur që nuk do ta luajmë këtë ndeshje”, ka thënë Troos-Ekong, i cili i bëri thirrje konfederatës së Afrikës që të marr masa.

Boniface shkroi në mesditë: “Kjo po bëhet e frikshme tani. Ju mund të merrni pikët. Ne thjeshtë duam të kthehemi në vendin tonë”.

Federata nigeriane konfirmoi në mëngjes se ekipi është ende në aeroport, 12 orë pas aterrimit. Sipas federatës po planifikohej udhëtimi për në shtëpi. 

Kapiteni i Nigerisë konfirmoi se aeroplani po bëhej gati dhe që përfaqësuesja do të udhëtonte për në shtëpi.

“Nëse konfederata afrikane e kupton punën e saj, Libia duhet të përjashtohet nga futbolli ndërkombëtar”, ka thënë Victor Ikpeba, anëtar i përfaqësueses së Nigerisë për AFP.

“Ky është vend me rrezikshmëri të lartë dhe qartë se mendoni se kush ka lejuar që Libia të luajë në shtëpi”, ka shtuar ish-futbollisti i Dortmundit.

Incidenti duket se ka histori.

Dy ekipet u përballën të premten dhe Nigeria fitoi 1:0. Kapiteni i Libisë, Faisal Al-Badri është ankuar pas ndeshjes se ekipi i tij është ngacmuar gjatë arritjes dhe se është mbajtur për tri orë në aeroport kur ndërroi aeroplanët. Federata nigeriane ka mohuar akuzat. Incidenti i ri mund të jetë një lloj hakmarrjeje.