Turqia e ka kthyer shtëpinë e dytë në një kala në “Euro 2024”, pas fillimit të shkëlqyer dhe pritjes së mahnitshme nga Mert Gunok në fitoren 2:1 ndaj Austrisë të martën mbrëma. Me fitoren dramatike, Turqia avancoi në çerekfinale.
Selektori i Austrisë, Ralf Rangnick, ishte ankuar se disa ndeshje në këtë turne e kishin bërë të flinte më herët.
Por, nuk kishte shans për të qenë i qetë në zhurmën e madhe në Leipzig, ku diaspora turke në Gjermani dominoi sërish, duke mbushur tri të katërtat e stadiumit.
Merih Demiral, ndezi atmosferën duke shënuar pas vetëm 58 sekondave, që ishte goli më i shpejtë i fazës nokaut në një Kampionat Evropian.
Qendërmbrojtësi i Al-Ahlit, i cili kishte shënuar vetëm dy gola në 47 paraqitje para të martës mbrëma, më pas realizoi tjetër gol me goditje me kokë.
Michael Gregoritsch, e ngushtoi rezultatin për ta siguruar një përfundim dramatik, i cili u karakterizua me pritjen më të jashtëzakonshme të gjithë historisë së turneut.
Christoph Baumgartner, ishte shumë i sigurt se do të ishte hero i Austrisë në minutën e 94-t kur gjuajti me kokë. Topi fillimisht preku fushën dhe ishte duke shkuar drejt këndit, por Gunok fluturoi për ta devijuar jashtë.
Portieri i Beshiktashit, u kthye nga tifozët e Turqisë, bërtiti bashkë me ta në festë, për momentin që e definon karrierën e tij.
“Nuk mund ta besoja”, ka thënë Demiral. “Ndoshta një prej pritjeve më të mira që më kanë parë sytë”.
Kjo pritje ka nisur të krahasohet me atë të portierit Gordon Banks të Anglisë, që kishte pritur gjuajtjen e Peles në Kupën e Botës 1970.
“Është e vështirë kur ata kanë në portë Gordon Banksin”, u ankua Rangnick kur u pyet nëse pritja e Gunokut, ishte më e mira që e kishte parë.
Austria ishte prej befasive të turneut. E fitoi grupin, në të cilin ishin edhe Franca dhe Holanda, për të përfunduar në anën e skuadrave, të cilat vlerësoheshin më të lehta për t’u kaluar.
Por, tani Turqia do të jetë ajo e cila do të shkojë në Berlin në vikend, e mbështetur nga një numër i madh shikuesish. Sërish pritet që turqit të jenë të zhurmshëm për duelin kundër Holandës, për ta barazuar të arriturën më të madhe në një Evropian, avancimin në gjysmëfinale.
Pesë lojtarë të Turqisë së drejtuar nga Vincenzo Montella, janë të lindur në Gjermani, që është shtëpi e afro tre milionë turqve.
“Po e luajmë këtë turne si të ishim duke luajtur në shtëpi”, ka shtuar Demiral.
“Do të shkojmë në Berlin dhe e dimë se aty do të jenë edhe më shumë tifozë turq në stadium, dhe jemi shumë të emocionuar”.
Dobësia e Turqisë u shfaq në disfatën 3:0 nga Portugalia në fazën grupore, pavarësisht përkrahjes së madhe në Dortmund.
Megjithatë, Turqia është vetëm një nga tri skuadrat, bashkë me Spanjën dhe Gjermaninë, që i kanë fituar të paktën tri nga katër ndeshje në këtë turne.
Kapiteni Hakan Calhanoglu, do të kthehet për ndeshjen çerekfinale pasi mungoi ndaj Austrisë shkaku i suspendimit, ndërsa në ekip do ta ketë edhe njërin prej yjeve të turneut, Arda Guler.
19-vjeçari i Real Madridit, bëri dy harkimet nga këndi nga të cilat shënoi Demiral, për t’u bërë vetëm tinejxheri i tretë pas Cristiano Ronaldos dhe Wayne Rooneyt, që shënon gol dhe asiston në një Kampionat Evropian.
“E kam parë zemrën e Turqisë dhe për këtë arsye e dua këtë shtet”, ka thënë ish-futbollisti i Italisë, Montella.
“Ky pasion dhe kjo dashuri është shumë e madhe. Jam shumë i lumtur që këtë e arritëm për turqit këtu në Gjermani, ata në shtëpi dhe gjithë të tjerët nëpër botë. E kemi ndier këtë përkrahje vazhdimisht, por këto ëndrra mund t’i arrish vetëm nëse punon fort”.
Fitorja ndaj Holandës do ta siguronte për Turqinë ndeshjen ndaj Zvicrës apo Anglisë.
Nga Bursa në Berlin, turqit tani ëndërrojnë që të shkojnë në finalen e kryeqytetit të Gjermanisë, më 14 korrik.